Friday, March 6, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot 75 vjetori i lindjes së gazetarit dhe radiokronistit të njohur...

ALMANAK/ Sot 75 vjetori i lindjes së gazetarit dhe radiokronistit të njohur Pirro Ruvina

Shkruar nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për gazetarinë sportive në Shkodër, janë të shumtë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë fushë dhe njëkohësisht vazhdojnë ta japin atë, për një pasqyrim sa më dinjitoz të sportit. Por në fakt, mes tyre ka pasur edhe gazetarë jo shkodranë që kanë kontribuar për vite me radhë dhe një prej tyre është Pirro Ruvina.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai ka ditëlindjen. Ruvina feston 75-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport”, por edhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Pirro Ruvina ka lindur në Pogradec më 6 mars 1951 dhe pasionin e tij për gazetarinë, sidomos për radion, do ta shfaqte që herët, duke u lidhur me Radio Tiranën, ku ka kontribuar për shumë vite në emisione të ndryshme sportive.

Ndërkohë, në vitet 2004-2015 ai ka drejtuar një nga emisionet radiofonike më të ndjekura në Shqipëri, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Më pas ka vijuar sërish punën në Radio Tirana, ashtu siç bën edhe sot e kësaj dite, sepse pasioni i tij për mikrofonin e radios është i jashtëzakonshëm.

Por Pirro Ruvina ka pasur një kontribut edhe në median shkodrane, ku ka punuar për gati një dekadë. Fillimisht e ka nisur si analist në TV1 Channel, më pas ka kaluar tek TV Rozafa dhe Radio “Motiv”, ndërsa më vonë do të vijonte punën e tij në Star Plus TV, ku do të drejtonte jo vetëm emisionin e përjavshëm “Star Sport”, por edhe një tjetër emision kushtuar figurave historike të sportit, të titulluar “Rrëfim”.

Ndonëse është edhe dhëndër në Shkodër, në fakt lidhja e tij me këtë qytet, me sportin dhe me mediat e tij është shumë më e fortë se kaq. Pikërisht për këtë arsye, Pirro Ruvina i meriton këto rreshta në këtë përvjetor të lindjes së tij. Për më tepër ai vijon të jetë aktiv sërish duke drejtuar një emision sportiv në Radio Tirana çdo fundjavë.

www.shkodrasport.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments