Historia mbinjëshekullore e Vllaznisë padyshim që ka “prodhuar” shumë sportistë e trajnerë të shkëlqyer të cilët kanë kontribuar maksimalisht për lartësimin e emrit të klubit të parë sportiv të formuar në vendin tonë. Në këtë histori gati 104 vjeçare ka patur prej atyre sportistëv që i kanë marrë meritat dhe njëkohësisht edhe vlerësimet por ka edhe prej atyre që në fakt shumë pak përmenden ndonëse kontributi i tyre ka qenë maksimal.

Njëri prej tyre është basketbollisti i njohur i Vllaznisë së viteve ’70- ’80 Hydajet Kotrri. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë është e shënuar për të. Feston 68 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Hydajet Kotrri që të gjithë e thërrisnin “Xhaxho”, ka lindur në Shkodër më 3 shkurt 1955 dhe me basketbollin “dashurohet” shpejt. Spikat dhe bie në sy menjëherë ndërkohë që prej vitit 1972 dhe deri më 1990 kur e lë sportin, do të luajë rregullisht me Vllazninë, për plot 18 vjet me rradhë, si askush tjetër dhe me të fiton dy herë trofeun e Kupës së Republikës dhe po ashtu edhe një titull kampion.

Kotrri njëkohësisht në vitet 1976- 78 ka qenë edhe anëtar i kombëtares shqiptare të basetbollit. Pozicioni i tij në fushë ka qenë ai i një lojtari anësor, por në rast nevoje ka luajtur edhe si qendër. Ka mbajtur gjithmonë numrin 14 në fanellë, nga fillimi e deri në fund të karrierës. Një tjetër e veçantë e tillë është se Xhaxho ka qenë mëngjerash dhe kjo e bënte edhe më të veçantë në lojën e tij.

Pas lënies së karrierës sportive, në vitet 1995- 98 ka kontribuar si zëvendëstrajner me ekipin e parë privat të krijuar në Shqipëri, “Shkodra Basket”. Në familjen Kotrri, përveç Hydajetit, me basketbollin është marrë edhe i biri- Arvini i cili ka arritur të jetë edhe pjesë e kombëtares shqiptare. Familja Kotrri prej vitit 2000 e deri më sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjergj KOLA