Sporti në Shkodër dhe Shqipëri përpara viteve ’90 ka patur një zhvillim tjetër, një interesim tjetër dhe si rrjedhojë nuk kanë munguar edhe rezultatet e larta, përpos masivizimit të jashtëzakonshëm.

Dhe një meritë për këtë kanë patur jo vetëm trajnerët e sportistët, por edhe drejtuesit dhe sot do të ndalemi tek njëri prej tyre. Bëhet fjalë për Bahri Axhemin, drejtuesit e Komitetit të Fiskulturës në Shkodër për shumë vite me rradhë.

Dita e sotme është e veçantë sepse përkon me 90 vjetorin e lindjes së tij dhe padyshim që ky është momenti i duhur për ta rikthyer sërish në vëmendje. Kjo sepse të shumtë janë ata që e kanë vlerësuar dhe respektuar për atë se çfarë ka bërë për sportin shkodran.

Bahri Axhemi ka lindur në Shkodër më 11 tetor 1933 dhe gjatë jetës së tij ka mbajtur shumë funksione drejtuese, por të gjithë e mbajnë mend për kontributin në sport, ngaqë ka qenë edhe një tifoz i madh i Vllaznisë në të gjitha sportet e saj.

“Bahri Axhemi është i vetmi drejtues i sportit në kohën e diktaturës që në sport nuk ka zhvillue luftën e klasave, përkundrazi ka shumë shembuj që duke i mbrojtur sportistët, i ka dhënë atyre vendin e duhur në sport. Këtë e dinë mirë shkodranët.

Interesant është fakti se edhe njerëzit që kanë punuar me të kanë kenë njerëz pozitivë e profesionistë, mjafton të përmendim Injac Lacukut, Zef Naraçin apo të palodhurin Fahri Fani”- do ta vlerësonte një tjetër drejtues sporti në Shkodër Gëzim Mema.

Vlerësime të tilla pozitive për Bahri Axhemim kanë ardhur edhe nga figura të tjera. Ish- kampioni i madh i mundjes Rrok Bardeli shkruan: “Sot sportit i mungojnë të tillë drejtues. Për karrierën time sportive i jam mirënjohës këtij njeriu”.

Ndërsa mjeshtri i peshëngritjes Faruk Kalleshi thotë: “Bahri Axhemi ka merita të veçanta sepse punësonte sportistët, i donte dhe ndihej shumë kontributi i tij në sport”.

Bahri Axhemi është ndarë nga jeta më 16 janar 2006, në moshën 73 vjeçare, duke lënë pas shumë kujtime dhe mbi të gjitha një emër të mirë në sportin shkodran.
Gjergj KOLA