Shkruar nga Gjergj KOLA
Arben Parmeza është një emër shumë i njohur i sportit shkodran dhe atij shqiptar. Fillimisht për një karrierë të suksesshme në sportin e atletikës ndërsa prej vitesh merret edhe me futbollin në rolin e trajnerit. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 56 vjetorit të lindjes së tij dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Arben Parmeza ka lindur në Shkodër më 11 shkurt 1970 dhe në rininë e tij zgjedh të merret me sportin e atletikës. E ka ushtruar atë për disa vite me rradhë nen drejtimin e trajnerit Isak Bala, i specializuar kryesisht për garat me pengesa ku është kampion në disiplinën e 110 metrave me pengesa, por konkurron me dinjitet edhe në kërcim së gjati, trehapësh dhe stafetën 4 x100 m.
Kampion dhe rekordmen i atletikës, në vitin 1995 është fitues i anketës së “10 sportistëve më të mirë të vitit në Shqipëri”. Pas
lënies së sportit, për disa vite punon si trajner i atletikës pranë klubit shumësportësh Vllaznia.
Më pas ka filluar të punojë si trajner i përgatitjes atletike tek ekipi i parë i futbollit të Vllaznisë në periudhën kur ajo drejtohej nga Rudi Vata që e mori në stafin e tij.
Më pas, kalon tek ekipi The Door ku merr drejtimin e ekipit të femrave. Punon për njëfarë periudhe edhe me ekipin e femrave AAS dhe më pas disa vite ka qenë pjesë e stafit teknik të ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë ku bashkë me trajnerin Nikolin Leka kanë arritur të fitojnë disa trofe. Ka qenë dhe është pjesë e stafeve të ekipeve kombëtare të futbollit të femrave.
Ndërkohë vitet e fundit Parmeza është bërë pjesë e Akademisë Vllaznia ku është trajner në grupmosha të ndryshme duke dhënë kështu sërish kontributin e tij për futbollin.
© shkodrasport.com


