Në barazim 0-0 është mbyllur ndeshja e parë e turit të parë të Kupës së Shqipërisë në mes Kastriotit dhe Vllaznisë. E luajtur në Krujë pasditen e sotme, ky takim nuk ka dhuruar fitues ndonëse rastet nuk kanë munguar rastet për të dy ekipet. Skuadra shkodrane e ka nisur këtë ndeshje me formacionin e saj thuajse më të mirë teksa në fushë kanë qenë 9 nga 11 futbollistët që luajtën tre ditë më parë ndaj Lushnjës.

Trajneri Cungu ka lënë pushim vetëm Likën dhe Hasanin ndërsa të tjerët kanë qenë të gjithë në fushë. Megjithatë loja e Vllaznisë nuk është ngjitur asnjëherë në nivele të larta. Në shumë momente madje kanë qenë vendasit e Kastriotit që kanë rrezikuar seriozisht portën e Selimajt. Natyrisht që edhe kuqeblutë kanë patur rastet e veta madje në minutën e 90-të ka qenë Ribaj që me kokë ka qenë shumë pranë golit por topi është grushtuar nga portieri Kuka. Përfundimisht barazim 0-0 që megjithatë është një rezultat i cili favorizon ekipin shkodran për kalimin në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

© shkodrasport.com