Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për historinë e basketbollit shkodran e shqiptar, një nga emrat më të nderuar e respektuar padyshim që është edhe ai Nikolin Palit. Shkodrani që bëri karrierë duke treguar vlerat e tij më të mira si me Vllazninë, ashtu edhe me Partizanin dhe kombëtares shqiptare.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 79 vjetorit të lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Nikolin Pali ka lindur më 1 janar 1947 në Shkodër dhe nis të merret me basketboll që në moshë të vogël duke punuar me trajnerin Muhamet Sokoli. Më pas do të kalonte tek ekipi i të rriturve të Vllaznisë bashkë me Asllan Gjyrezin, Petrit Osmanin, Angjelin Shirokën etj.Më pas me ekipin do të bashkoheshin edhe Renato Radoja e Filip Guraziu që erdhën nga Tirana.
Si rrjedhojë Vllaznia do të shpallej kampione e Shqipërisë dhe po ashtu do të fitonte edhe dy Kupa të Republikës, me trajner Esat Haxhin. Nikolin Pali ishte një nga basketbollistët më të gjatë të atyre viteve, plot 1.96 metra i gjatë. Pas disa vitesh me ekipin shkodran, Nikolini do të kalonte tek Partizani duke luajtur përkrah një emri të madh si Agim Fagu. Edhe me këtë skuadër do të fitonte trofe dhe njëkohësisht do të luante edhe me kombëtaren shqiptare. Dhe do të vazhdonte të luante deri në vitin 1975.
Në këtë vit, do ta largonin nga basketbolli sepse xhaxhai i tij do të arratisej dhe më pas do pushkatohej dhe Nikolin Pali do të futet në rradhën e atyre me “biografi të keqe”, pavarësisht se çfarë basketbollisti ishte.
Në familjen Pali ka patur edhe pjestarë të tjerë që janë marrë me sport, e motra Luçi që është marrë me atletikë dhe i vëllai- Bepi që ka luajtur futboll me Vllazninë. Vetë Nikolini prej 28 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë që në maj të vitit 2022 u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës për kontributin e tij në sportin e basketbollit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


