Nga Gjergj KOLA

Pavarësisht oshilacioneve që ka patur Besëlidhja e futbollit në vite, duhet thënë se nga rradhët e saj kanë dalë sportistë shumë të mirë të cilët kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. E nëse flasim për portën, emri I parë ku ndalemi padyshim që është ai I Gëzim Haskut. Nëse në Shkodër të gjithë thonë se “Paulin Ndoja është legjenda e portës së Vllaznisë”, në Lezhë shprehja është e tillë: “Gëzim Hasku është legjenda e portës së Besëlidhjes”.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo është një ditë e veçantë për të. Gëzimi ka ditëlindjen, mbush 67 vjeç dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, I urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!


Po kush është Gëzim Hasku?

Ka lindur në Lezhë më 15 mars 1957 dhe me futbollin do të lidhej shumë shpejt, që në shkollë tetëvjeçare teksa në kampionatin e pionerëve në vitin 1970 që u zhvillua në Lezhë, ai do të spikaste si portieri më I mirë I ekipit të Lezhës që zuri vendin e dytë dhe njëkohësisht u vlerësua edhe si portieri më I mirë I kampionatit.

Kjo ishte një shtysë që një vit më vonë, më 1971 të thirrej në ekipin e të rinjve të Besëlidhjes ku ishte vetëm 14 vjeç. Luan një vit e gjysëm me këtë ekip dhe është gjithnjë në formacion. Ndërkohë në sezonin 1973-74 e ofron ekipi I parë. Portier Besëlidhja në atë kohë kishte shkodranin Naim Kraja dhe Gëzimi u bë zëvendësi I tij.

Në shkurt të vitit 1974 do të debutante për herë të parë me ekipin e parë të Besëlidhjes. Në një ndeshje që ajo luante në Tiranë ndaj Shkëndisë, në mënyrë të papritur në pjesën e dyt portieri Kraja I thotë stafit se nuk ndihej mirë dhe nuk mund të luante. Në këtë moment, trajneri Isuf Pelingu vendosi t’ia besonte portën Haskut, djaloshit që ende nuk I kishte mbushur 17 vjeç.

Dhe ai do të përballej në atë ndeshje me lojtarë shumë të njohur të Shkëndisë së asaj periudhe ku spikaste në veçanti Vasillaq Zëri të cilin Gëzimi në dy momente nuk e la të shënonte falë pritjeve të tij. Po në atë sezon, portieri I ri do të luante edhe në një ndeshje në Lezhë kundër Lushnjës dhe në një tjetër në Elbasan, duke marrë kësisoj përvojën e duhur.

Ndërkohë në sezonin 1975-76 portieri I parë Naim Kraja do të largohej nga Besëlidhja dhe drejtuesit vendosin t’ia besojnë portën Gëzim Haskut. Që nga ai moment dhe deri kur e ka lënë futbollin, do të ishte I padiskutueshëm duke qenë portieri më I suksesshëm në historinë e futbollit lezhjan.

Po në këtë sezon, Gëzimit I ka mbetur në mend një episod shumë I veçantë në në ndeshje ndaj Flamurtarit ku luante I madhi Mexhit Haxhiu që ishte në momentin e lënies së futbollit. Gjatë ndeshjes, në një rast vlonjatët fitojnë një goditje dënimi dhe atë e mori përsipër ta gjuante vetë Haxhiu që ishte mjeshtër për ekzekutimin e tyre. E gjuajti ashtu si duhet, por topi nuk përfundoi në rrjetë sepse portieri I ri i Besëlidhjes bëri një hedhje të shkëlqyer duke e grushtuar topin në korne. Kaq ka mjaftuar dhe përpos duatrokitjeve të tifozëve, vetë mjeshtri Haxhiu ka shkuar tek portieri I ri, e ka puthur në dy faqet dhe I ka thënë: “Bravo të qoftë, vazhdo kështu sepse do bëhesh një portier shumë I mirë”. Dhe për vetë Gëzimin, ky është një nga kujtimet më të bukura të karrierës së tij, citon www.shkodrasport.com


GRUMBULLIMI ME SHPRESAT

Paraqitjet e mira me Besëlidhjen bënë që Gëzim Hasku të grumbullohej edhe me kombëtaren Shpresa në vitin 1975 sëbashku me Jani Kaçin dhe Ilir Luarasin. Trajner I ekipit në atë kohë ishte Skënder Dedja dhe pjesë e ekipit ishin edhe emra të shquar si Petrit Dibra, Suad Durraj etj. Qëndruan 3 muaj të grumbulluar në Tiranë, por më pas doli grupi I Beqir Ballukut që mori vëmendjen e të gjithëve në vendin tonë dhe askush nuk e kishte më mendjen tek futbolli, duke bërë që të mos kishte ndeshje për njëfarë periudhe.

LEZHA NUK E LA ASNJËHERË TË LARGOHEJ

Gëzim Hasku krijoi profilin e një portieri me perspektivë dhe si rrjedhojë shumë ekipe dëshironin ta bënin pjesë të tyre. Por në Lezhë nuk donin t’ia dinin për kërkesat. Drejtuesit e sportit në rreth ishin më në fund të lumtur që e kishin gjetur portierin e duhur. Si rrjedhojë, ndonëse Gëzimit I dolie drejta për të vazhduar Institutin e Fiskulturës në Tiranë, në Lezhë nuk e lejuan sepse e donin tek Besëlidhja.

E njëjta situatë edhe në periudhën kur erdhi koha për të shkuar ushtar. Vetë Gëzimi duke parë që Besëlidhja herë ngjitej në kategorinë e parë dhe herë binte në të dytën, kishte dëshirë ta shikonte veten duke luajtur në një skuadër më të fortë dhe duke qenë se oferta kishte, shpresonte shumë që në periudhën kur ta thërrisnin ushtar, të provonte të luante me një skuadër tjetër. Dhe në fakt, në Lezhë I rregulluan të gjitha letrat dhe ushtrinë ai duhet ta bënte aty dhe të vazhdonte të luante për Besëlidhjen, raporton www.shkodrasport.com


HUAZIMI TE VLLAZNIA

Në janar të vitit 1986 drejtuesit e Vllaznisë vendosën ta huazojnë Gëzim Haskun për ndeshjet e Kupës Ballkanike që do të luanin ndaj ekipit rumun Gloria Buzau. Në ndeshjen e luajtur në Shkodër më 25 shkurt të atij vitit, lezhjani ka qenë në portën e Vllaznisë në barazimin 0-0 ndaj kësaj skuadre. Ndeshja e kthimit ishte më 25 mars në Rumani dhe ajo është një histori më vete.

“Ishim grumbulluar në këtë pragndeshje dhe erdhi momenti për t’u nisur drejt Rumanisë. E kishim lënë orarin për t’u grumbulluar përpara Hotel Turizmit dhe unë me çantën në dorë u nisa për tek autobuzi. Por në ato momente, profesor Hafizi I vrenjtur në fytyrë, më doli përpara dhe me një listë në dorë më tha se Partia kishte vendosur që unë të mos shkoja në Rumani. Bashkë me mua ishin edhe 4 futbollistë të tjerë, gjoja me biografi të keqe. Po çfarë kisha bërë unë? Pretendimi ishte që kisha nusen nga Kosova!!! U zhgënjeva dhe sigurisht që nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të kthehesha në Lezhë”- kujton sot pas shumë vitesh protagonisti I këtij shkrimi.

Në fakt, në Shkodër Gëzimin e kanë respektuar shumë dhe kanë dashur ta mbajnë në ekip edhe më gjatë. Ai kujton se madje ka patur edhe dy takime në atë periudhë me ish- Sekretarin e Parë Muho Asllani që insistonte për ta sjellë në Shkodër, por pas konsultimesh edhe me familjen, vendosi të qëndronte në Lezhë.

Megjithatë nga Shkodra ndonëse qëndroi vetëm 3 muaj ruan kujtime shumë të bukura dhe padyshim që Gëzimi ka krijuar edhe shumë miq e ku veçon Hysen Dedjen, Nikolin Thanën, Fasli Fakjen, Bardh Jerën, Ferid Borshin etj.

DËMTIMI

Pasi u rikthye nga Vllaznia, Gëzimi iu bashkua sërish Besëlidhjes që drejtohej nga trajneri Vasil Bici, por pa kaluar shumë kohë do të pësonte një dëmtim të rëndë. Në një ndeshje të luajtur në Fier ndaj Apolonisë, në një moment të lojës, ai do të përplasej në ajër me sulmuesin Pandeli Tole dhe gjatë momentit të rënies në tokë është dëmtuar rëndë. Ka qëndruar 4 ditë I shtruar në spitalin e Fierit dhe mjekët I rekomanduan 6 muaj pushim absolut.


PUNA SI TRAJNER PORTIERËSH

Nisur nga kjo, drejtuesit e Besëlidhjes u detyruan të marrin një portier tjetër dhe zgjodhën Birçen e Flamurtarit. Pas rikthimit nga dëmtimi, Gëzimi qëndroi si portier I dytë dhe njëkohësisht nisi edhe detyrën e trajnerit të portierëve. Nga duart e tij kanë dalë portierë të tillë si Artan Nika që arriti deri tek kombëtarja Shpresa dhe padyshim më I miri që ka nxjerrë nga duart e tij ka qenë Julian Gjeloshi.


MBYLLJA E KARRIERËS

Ka vazhduar ta bëjë këtë punë deri në vitin 1995. Në atë vit, në një ndeshje shumë përcaktuese në Librazhd, portieri I parë Gjeloshi mungonte dhe si rrjedhojë trajneri Taip Piraniqi që e drejtonte Besëlidhjen në atë kohë, vendosi t’ia besonte portën Gëzim Haskut. Ishte një ndeshje e rëndësishme sepse skuadra që do fitonte, ngjitej në kategorinë e parë dhe veterani bëri një paraqitje shumë të mirë. Besëlidhja humbi 0-1 me një penallti të dhënë nga arbitri për vendasit dhe kjo ishte ndeshja e fundit e karrierës së Gëzim Haskut që “var dorezat” në moshën 38 vjeçare.

IKJA NË ITALI

Në vitin 1997, portieri legjendar I Besëlidhjes vendosi të largohej drejt Italisë, vend ku jeton edhe sot e kësaj dite. Kuptohet që ka marrë me vete edhe shumë kujtime të bukura dhe nostalgjinë e atyre viteve të kaluara në futboll teksa ka patur fatin të luajë në vitet ’80 që ai I konsideron të arta, me emra të shquar të futbollit shqiptar në çdo skuadër me të cilën është ndeshur.

NDERIMET

Në Lezhë duke luajtur me Besëlidhjen ka fituar titullin “Mjeshtër Sporti”. Më pas, në vitin 2015, Komuna Shëngjin I ka dhënë titullin “Mirënjohje”, ndërsa në vitin 2018 Këshilli Bashkiak Lezhë ka marrë vendimin për t’I akorduar titullin e lartë “Qytetar Nderi”, titull që në fakt ende edhe sot e kësaj dite nuk I është dorëzuar.

PSE PORTIER?

E pyesim Gëzimin pse ka zgjedhur të ishte portier dhe përgjigja e tij është e thjeshtë: “Sepse isha I lindur për portier”. Dhe si rrjedhojë, ai e meriton të quhet “legjenda e portës lezhjane”. Ka një karrierë 20 vjeçare, teksa 13 vite I ka pa shkëputje duke mbrojtur portën e Besëlidhjes, nga të cilat në 10 vite ka qenë edhe kapiten I kësaj skuadre. Idhujt e tij të portës kanë qenë Paulin Ndoja, Jani Kaçi dhe Ilir Luarasi. Gëzim Hasku është I lumtur për kontributin e dhënë për Besëlidhjen, por përveç saj, në zemrën e tij ka patur vend gjithmonë edhe për Vllazninë, skuadër me të cilën për fat të keq luajti vetëm në një ndeshje gjatë karrierës së tij.

FAMILJE SPORTISTËSH

Mbiemri Hasku eshte shume i njohur ne Lezhe dhe jo vetem. Kjo sepse tre pjestare te kesaj familje jane marre me sport. Perveç Gezimit qe ka kontribuar per rreth 20 vite ne futboll, kane qene edhe dy motrat e tij, Vjollca nje ish- gjimnaste si dhe Rita, volejbollistja dhe trajnerja qe prej 50 vitesh vazhdon te jape kontributin e tij per sportin ne Lezhe, si askush tjeter./www.shkodrasport.com/