Nëse flasim për historinë e basketbollit shkodran pas viteve ’90, patjetër që një nga emrat më të spikatur është edhe ai i Altin Halilit. Një sportist i cili dha një kontribut të madh për Vllazninë duke kontribuar në fitimin e disa trofeve me të.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 50 vjetorit të lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Altin Halili ka lindur në Shkodër më 13 mars 1974 dhe basketbollin e filloi me ekipet zinxhir, duke kaluar nëpër duart e një mjeshtri si Refik Vorda. Më pas iu bashkua ekipit të të rriturve të Vllaznisë pas viteve ’90, duke luajtur me një plejadë sportistësh me shumë emër dhe padyshim që mori shumë prej tyre.

Si rrjedhojë nën drejtimin e Petrit Osmanit dhe duke luajtur përkrah Astrit Zaganjorit, Marin Shestanit, Bledar Gjeçajt, Altomen Çapalikut, Beniamin Idrizit etj, Halili arriti të shpallej kampion i Shqipërisë me Vllazninë në sezonet 1992-93, 1996-97, 1997-98 dhe 1999-2000. Pra në CV-në e tij ka 4 tituj kampionë dhe padyshim që zë një vend të nderuar në palmaresin e këtij ekipi.

Pas lënies së sportit, zgjodhi të punonte si trajner moshash, detyrë që e ushtron prej vitesh duke stërvitur elementë të ri, por ndërkohë para pak vitesh për një periudhë jo shumë të gjatë edhe si drejtor teknik i Vllaznisë./www.shkodrasport.com