Gazetaria sportive sot ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, kuptohet e ndikuar edhe nga zhvillimet e teknologjisë dhe jo vetëm. Por ne në Shkodër herëpashere i hedhim sytë edhe prapa, për të parë atë se çfarë ka ndodhur dhe cilët kanë qenë kontribuesit e madh në vite.

Njëri prej tyre i cili ka patur një rol të jashtëzakonshëm, qoftë si gazetar por edhe si gjyqtar dhe organizator i veprimtareve të ndryshme, ka qenë edhe Rifat Uruçi. Sot është momenti më i mirë për ta kujtuar sepse mbushen plot 24 vjet nga ndarja e tij nga jeta.

Rifat Uruçi ka lindur në Shkodër më 16 shkurt 1926 në Shkodër dhe ka qenë ndër pionerët e këtij zhanri në qytetin tonë duke dhënë një kontribut të madh në pasqyrimin dhe propagandimin e këtyre sporteve dhe sportistëve.

Një figurë e dashur për të gjithë ne sepse na ka ndihmuar jo pak në rrugën tonë në këtë profesion. Pasionin për propagandimin dhe organizimin e sportit ai e merr që në gjimnaz. Nëse shokët e tij të klasës merren me futboll, basketboll, atletikë etj, Rifat Uruçi nis të merret me gazetarinë.

Ai do të jetë edhe një nga pionerët e gazetës “Sporti” (sot “Sporti Shqiptar”) si bashkëkohës dhe bashkëqytetar i të mirënjohurit Anton Mazreku dhe me penën e tij do të rregjistronte të gjitha ngjarjet sportive të qytetit të tij, duke mbetur një gazetar i përkushtuar me fanatizëm i Vllaznisë në të gjitha veprimtaritë kombëtare të saj.

Në vitet ’50 do të jetë për dy vjet me rradhë redaktor i të vetmes gazetë sportive. Larmia e gjinine që ai lëvroi në gazetarinë sportive, ishte e pasur. Njëkohësisht Uruçi do të promovonte së tepërmi traditën e bukur sportive të qytetit të Shkodrës ku dhjetëra e dhjetëra portrete sportistësh do të evidentoheshin për t’u inkurajuar e që më vonë do të ishin mjeshtrat e ardhshëm të Vllaznisë dhe të ekipeve kombëtare.

Rifat Uruçi përveçse në faqet e “Sporti Popullor”, ka bërë kronika të shumta edhe gazetat e tjera të kohës, në kronikat e Radio Tiranës dhe Radio Shkodrës. Në periudha të ndryshme ka kryer edhe rolin e inpektorit të klubit Vllaznia madje më pas, edhe atë të drejtorit të tij.

Rifat Uruçi njihej si opozitar i fortë i të gjithë atyre që kërkonin të injoronin emrin e Vllaznisë, që kërkonin të merrnin prej saj “yjet” e sportit në futboll, basketboll, volejboll etj. Ai si me forcën e penës ashtu edhe me kurajon për të trokitur në zyrat e ministrive, nuk lejoi që sportistët shkodranë të bëheshin pronë e Partizanit dhe Dinamos.

Kujtojmë këtu rikthimin e mjeshtrave të mëdhenj të sportit si Radoja, Guraziu, Rragami, Bizi etj në gjirin e Vllaznisë. Duke qenë një njohës i thellë i sportit, ai do të ishte i ftuar gjithnjë në komisionet e propagandës në Spartakiadat Kombëtare, në Spartakiadat e universiteteve e të rinisë shkollore duke treguar kulturë të gjerë sportive.

Po ashtu, ai si gazetar nuk mungoi të jetë një hulumtues i historisë së sportit duke evidentuar mjaft fakte dhe dokumente me vlerë historike për sportin. Të gjitha këto, të shoqëruara edhe me foto të Fototekës Marubi, i sistemoi në Muzeun e Sportit që u krijua në klubin Vllaznia.

Me fillimin e Demokracisë, ndonëse në pension, ai do të japë një kontribut shumë të madh në promovimin e figurave sportive të persekutuara nga diktatura duke “i ringjallur” përmes shkrimeve, sesioneve shkencore dhe mbledhjeve përkujtimore.

Rifat Uruçi krijoi shoqatën publicistike sportive “Anton Mazreku” që në vitin 1992 teksa ishte kryetari i parë i saj. Më pas, bashkë me gazetarët e tjerë, nxorri të parën gazetë sportive të pavarur në vendin tonë po atë vit, pikërisht “Vllaznimi Sportiv”.

Kjo shoqatë u bë e njohur edhe në konkurset ndërkombëtare të fotografisë sportive. Duke qenë një enciklopedist i vërtetë i sportit, në të njëjtën kohë ai demostroi aftësitë e tij edhe si gjyqtar i basketbollit dhe volejbollit por nuk gëzoi të drejtën e marrjes së titullit ndërkombëtar (edhe pse gjykoi mjaft ndeshje ndërkombëtare) për arsye të biografisë.

Ndonëse nga pushtetarët e diktaturës u keqtrajtua, deri në pushimin nga puna, ai nuk lëshoi penën nga dora asnjëherë edhe kur iu hoq e drejta e shkrimit pas një turneu të Vllaznisë në Kosovë ku Rifati i shoqëroi ekipin si gazetar. Ai nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësitë që i bëheshin Vllaznisë dhe zëri i tij ishte në mbrojtje të sportit shkodran gjithnjë.

Në vitin 1992 është dekoruar me “Urdhërin e Punës të klasit III”. Ndërsa më 2009, me rastin e 90 vjetorit të krijimit të klubit Vllaznia, Këshilli Bashkiak i akordoi titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

Por më shumë sesa këto tituj, ajo që mbetet është fjala “PROFESOR” për të ende edhe sot. Ai ka bërë gjithçka për promovimin e sportit shkodran, ka ndihmuar gazetarët e rinj në profesionin e tyre dhe ka organizuar jo pak veprimtari pas viteve ’90 për të kujtuar datat historike të sportit shkodran.

Megjithatë ai u nda herët nga jeta, pikërisht më 12 maj të vitit 1999 në moshën 73 vjeçare kur kishte ende për t’i dhënë sportit dhe po ashtu edhe ne, pasardhësve të tij.
Gjergj KOLA