Vllaznia doli shumë e zhgënjyer nga ndeshja e së mërkurës në kupë kundër Egnatias. Kjo për shkak se shkodranët u eleminuan nga gjysmëfinalja e kupës duke u mposhtur 1-0 nga Egantia. Në këtë mënyrë duke mos arritur finalen e kupës së Shqipërisë për të tretin edicion rradhazi.

Kjo disfatë patjetër ka “tronditur” disi ambientin kuqeblu. Pasi tashmë gjithçka është në “fije të perit” për sezonin e shkodranëve, pasi nga një skuadër që pretendohej se do ishte kampion, tashmë rrezikon edhe mos pjesëmarrjen në kupat europiane. Por dueli ndaj rrogozhinasve kishte edhe një notë pozitive dhe ai ishte Kristi Qarri.

Gardiani i portës, që ka luajtur titullar gjatë gjithë këtij sezoni si titullar në kupë shfaqi sërish një nivel shumë të lartë. 22-vjeçari ishte i vetmi që mund të justifikohet në ndeshjen e humbur kundër Egnatias. Në më shumë se 2-3 raste ai u tregua vendimtar me disa pritje shumë të sakta. Duke mbajtur kështu në lojë deri në minutat e fundit skuadrën për kualifikimin në finale.

Pavarësisht golit të pësuar në sekondat e fundit, kjo nuk e zbeh aspak performancën e portierit shkodran. Qarri ka treguar disa herë në këtë sezon në ndeshjet e kupës se duhet ti besohet ndoshta akoma më tepër. Patjetër ndoshta Vllaznia e sezonit të ardhshëm mund të nisë nga ai. Një portier i ri dhe që garanton shumë për të ardhmen e katërkëndorit kuqeblu.
Endri ÇINARI