Alsid Tafili është një nga emrat e njohur të futbollit shkodran të dekadës së fundit. Mesfushori që luan aktualisht tek Tërbuni, po bën edhe rolin e menaxherit tashmë. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka kryer disa transferime të suksesshme këtë verë.

Ndërsa së fundmi me kompaninë e tij ka marrë nën menaxhim edhe Gerald Kubazin, sulmuesin e 17-vjeçarëve të kuqebluve. Sipas Tafilit tek ekipi i parë i shkodranëve nuk ka një strategji për zhvillimin e të rinjëve dhe se rruga më e mirë për ta janë transferimet jashtë vendit.

Tafili tha: “Kam pasur një verë goxha aktive me transferimet e futbollistëve, ku disa me të vërtetë kanë qenë cilësore. Së fundmi kam afruar nën menaxhimin tim dhe kompanisë, Gerald Kubazin. Një sulmues i së ardhmes, ku në këtë kampionat ka shënuar 12 gola në 7 javë tek u-17 e Vllaznisë.

Synimi është që lojtar të tillë për tu zhvilluar duhet të dërgohen jashtë vendit. Sepse tek Vllaznia apo në mbarë futbollin shqiptar nuk është se ka projekte për të rinjtë. Këtu ende themi se je i ri në moshën 18-vjeçare ndërsa shohim që 18 vjeçarët po luajnë në Botëror.

Për Kubazin di të them se kam interes nga Italia dhe Turqia. Do shohim një opsion të mirë për të, që ti shërbejë sa më shumë për tu rritur në të ardhmen”.
Endri ÇINARI