Shumë çështje janë hapur te Shqipëria, ndërsa takimi i parë me Turqinë për kualifikueset e Europianit afrohet gjithmonë e më shumë. Sikur të mos mjaftojnë “dhimbjet e kokës” sa i përket skemave që trajneri Panuçi duhet të mendojë, nga ana tjetër kanë dalë edhe shumë diskutime shtesë.

E fundit ishte ajo e Lenjanit, që dha dorëheqjen e tij nga Kombëtarja, derisa të largohet Panuçi. Por pa harruar këtu edhe çështjen e përjashtimit të Strakoshës. E kush mund ta kuroj më mirë “plagën” sesa një “doktor i vjetër”? Për të marrë këshilla pikërisht nga një i tillë, legjendë e gjallë dhe figurë e shquar e Kombëtares, “Shqiperia.ch” ka zhvilluar një intervistë me Altin Lalën.

I njëjti klas dhe preçizion vazhdon edhe me përgjigjet sa i përket Lalës, që gjithmonë i shpreh hapur mendimet e tij, për të ndihmuar sadopak gjendjen e Shqipërisë.

Si e sheh situatën e Shqiperisë? Sa mundësi reale kemi për kualifikim duke parë rivalët?

Të them të vërtetën, duke parë “Ligën e Kombeve”, nuk duket edhe shumë pozitive. Është e rëndësishme për trajnerin që të bëj një grup të tijin, për të mbuluar edhe gabimet e bëra në edicionet e fundit. Pastaj edhe kundërshtarët tanë janë shumë të fortë. Islanda është nivel shumë i lartë, megjithëse e vogël me numër banorësh. Do të jetë e vështirë, edhe Turqia që është rival i drejtpërdrejtë me ne, ka hasur vështirësi në vitet e fundit.

Ndalemi pikërisht këtu. Turqinë e kemi mundur njëherë në miqësore, a do të jetë histori tjetër tani?

Sigurisht, tani janë llogari të tjera. Takimi i fundit me Turqinë ka shërbyer shumë për trajnerin, për të kuptuar edhe lojën e kundërshtarit. Tashmë Panuçi e di sesi do të luajnë rivalët dhe do të ndryshojë deri në 4-5 lojtarë nga ajo përballje e fituar. Gjithsesi, flitet për histori tjetër.

Po sa i përket pjesës së tifozerisë që i ka lënë disi shkallët e stadiumit, a do të ndryshojë ndaj Turqisë?

Pritshmëria ishte shumë e madhe pasi vinim nga kampionati europian. Kjo e bashkuar nga rezultatet negative, ka sjellë edhe këtë mungesë të tifozëve në stadium. Por tani është edicioni i ri dhe shpresoj se stadium do të mbushet, pasi lojtarët e kanë të nevojshme.

Ti ke qënë vetë futbollist, sa e nevojshme është realisht mbështetja e tifozëve për aktorët në fushë?

Jashtëzakonisht shumë e nevojshme, sepse të jep motivim të madh. Nuk e thonë kot edhe fjalën “lojtari i 12-të”. Kur ke mbështetjen e tifozëve, kjo të jep zemër. Futbolli luhet edhe në kokë, pra në anën mentale.

Mediat dhe Lenjani që dalin kundër Panuçit. A e ka në dorë situatën trajneri i Shqipërisë?

Unë mendoj se Panuçi është një trajner shumë strikt. Nuk diskutohet që disiplina është e nevojshme, por nga ana tjetër edhe lojtarët duhet t’i bëj për vete. Menaxhimi i marrëdhënies me mediat është e rëndësishme njëkohësisht. Panuçin e shoh pak konfuz dhe duhet të gjej balancat. Jemi mësuar tashmë në Shqipëri, mediat herë të ngrenë në ajër, e herë të lëshojnë në tokë. Duhet të jesh pak tolerant, nuk bëhet çdo gjë me “dhunë”.

Je rritur vetë me mentalitetin dhe frymën gjermane, pra me disiplinë të madhe. Vendimi i drejtë i Panuçit që la Strakoshën jashtë se nuk kapi dot avionin?

E pra, këtu dua të ndalem edhe unë tani. Duhet parë nëse Strakosha se ka kapur dot avionin se nuk ka mundur, e nëse nuk e ka kapur se kjo ka qënë dëshira e tij.  Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe në rastin e parë i jap të drejtë deri diku Panuçit. Të isha unë në Kombëtare, do e zgjidhja ndryshe. Do mjaftohesha me një gjobë kundër lojtarit dhe t’i fusnim ca para edhe kasës së Kombëtares. Më vjen paksa habi, pasi i ati(Foto Strakosha) vinte gjithmonë para të tjerëve.

Po sa i përket çështjes “Lenjani”, a ishte paksa i tepruar ai shpërthim?

Lenjani është djalë i mirë. Unë nëse do të isha në vendin e tij apo si menaxher që do e drejtonte, nuk do të veproja në atë mënyrë. Pra mund të mjaftohej me vendimin që nuk vinte më te Shqipëria përsa kohë është Panuçi, pa e zgjatur më tepër. Lenjani dha shumë detaje dhe u thellua më tepër nga çfarë duhej. Por kur e mendon, zakonisht nga Kombëtaret tërheqjet janë përgjithmonë dhe jo përkohësisht.

Një çështje e re ka plasur, me lojtarët shqiptarë që i bashkohen Greqisë. Nuk ka nevojë për më shumë zgjatje, si mund të ndodhi një e tillë?

Ne shqiptarët e kemi tradhëtuar gjithmonë Shqipërinë. E kemi në gen ndoshta. E di që bota është globalizuar shumë, por këto raste kanë ndodhur edhe shumë më herët. Ajo që unë do të dëshiroja, është që ata lojtarë që zgjedhin Greqinë dhe nuk kanë minuta andej, të mos na vijnë prapë këtej. Sepse ndryshe bëhet Kombëtarja si “bordello”. Në Kombëtare nuk duhet të vish për të fituar, por është vetëm çështje krenarie.

Kthehemi pak edhe te interesimi për Guidarën. “Pro” apo “kundër” një lojtari që papritur merr vesh për Shqipërinë?

Eh, edhe këto raste janë të vështira. Një lojtar që nuk ka dëgjuar asgjë për Shqipërinë, nuk mund të shkosh dhe t’i thuash se vjen prej nga këtej. Duket paksa si jo normale. Por unë do të thoja thjeshtë që nëse Guidara është krenar për vendin tonë, le të vijë për Shqipërinë dhe të luajë me ne. Në të kundërt, është e kotë.

Në “Ligën e Kombeve” kemi zbuluar Uzunin dhe Ismajlin. Kush mund të jetë surpriza më e bukur dhe frika jote më e madhe?

Pikërisht këta të dy që ju përmendët, duhet të tregojnë tani që vlejnë shumë për Kombëtaren. Ky është ai momenti vendimtar ky lojtarët duhet të tregojnë vlerat e tyre. Tani edhe Sadiku shpresoj që të rikthehet në formën e tij dhe të shënojë me fanellën e Kombëtares. Frika më e madhe? Të mos biem në nivel si në “Ligën e Kombeve”.

Altin Lala ka shkopin magjik në dorë. Çfarë i rregullon Shqipërisë?

Stadiumin! Vetëm stadiumin, asgjë më shumë. Më kujtohet shumë mirë kur luanim në “Qemal Stafa”, se tani kanë ndryshuar disi kohërat. Padyshim që ndikon në imazh edhe kjo pjesë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/