Mbrëmjen e djeshme “Shkodra Sport” hapi një sondazh për të testuar përshtypjen që ka lënë trajneri Hasan Lika gjatë këtyre muajve që ka drejtuar ekipin e Vllaznisë.

Nga ajo çfarë konstatohet, 72 për qind e votuesve janë të mendimit se ai ka bërë një punë shumë të mirë në drejtimin e kësaj skuadre të cilën e mori vetëm tre javë para fillimit të kampionatit dhe e la të shkëputur 11 pikë nga ndjekësi më i afërt.

Nga ana tjetër, 19 për qind e votuesve mendojnë se ai ka punuar mirë ngaqë kundërshtarët nuk kanë qenë shumë të fortë dhe përpos kësaj, Vllaznia ecën me emër.

Ndërsa 9 për qind e njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë votim, janë të mendimit se Hasan Lika nuk ka punuar mirë ngaqë nuk ka promovuar asnjë element të ri, kur më së paku 2-3 prej tyre në këtë kategori ku luan Vllaznia duhej të kishin qenë në formacion, për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë konkluzioni i përgjithshëm është se Hasan Lika ka lënë një përshtypje shumë të mirë në Shkodër dhe tifozët e Vllaznisë i urojnë jetë të gjatë dhe po ashtu, i kujtojnë se do jetë gjithmonë i mirëpritur në këtë qytet.
© shkodrasport.com