Zv.kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha, do të shkojë në Vlorë me statusin e “ish”-it. Për Belishën, përballjet me Flamurtarin si në Vlorë, por edhe në Shkodër kanë emocione të ndryshme nga takimet e tjera. Në Vlorë, Belisha ka kaluar një periudhë mjaft të bukur duke qenë një nga lojtarët bazë të kuqezinjve. “Në Vlorë kam kaluar ditë të bukura. Për mua, Vlora dhe vlonjatët janë tepër të respektuar. Ndiej një kënaqësi të veçantë sa herë që luaj në Vlorë, pasi sportdashësit e Flamurtarit, që përherë kërkojnë fitoren e ekipit të tyre, më kanë duartrokitur dhe përshëndetur.

Kam shkuar mjaft mirë me lojtarët vlonjatë. Ata kanë qenë dhe janë shokët e mi më të mirë. Natyrisht që emocionet janë pak më ndryshe për mua por jam profesionist dhe duhet të bëj më të mirën, pavarësisht se ku luajmë. Respektet më
të mëdha për këtë qytet dhe për këtë skuadër”, – thotë Belisha.
Takimi – Për mesfushorin, fusha e blertë është ndryshe nga nostalgjia që i krijon atij qyteti dhe përbërja e ekipit vlonjat. Belisha është optimist se Vllaznia mund t’ia dalë kësaj here të thyejë tabunë e mungesës së fitoreve në Vlorë. “Natyrisht që respekti dhe mirënjohja për Flamurtarin nuk kanë shumë lidhje me atë që ne do të kërkojmë në Vlorë. Ne do të shkojmë për të marrë maksimumin e pikëve, ashtu siç bëri Flamurtari në Shkodër. Përherë kur dy skuadrat kanë pasur më shumë lojtarë vendës në përbërje, takimet kanë qenë sa të hapura edhe interesante. Luajnë dy skuadra që kemi thuajse të njëjtin burim financimi, bashkitë përkatëse. Luajnë dy skuadra me një të shkuar të ndritur dhe që kanë nxjerrë e po nxjerrin përherë lojtarë të mirë. Takimi në tërësinë e tij do të jetë i bukur. Mendoj se të tre rezultatet janë në lojë, por Vllaznia udhëton në Vlorë për fitore”, – shton mesfushori.
Dëmtimi – Belisha po kalon një situatë jo të mirë, pasi ende nuk është pjesë integrale e ekipit. Megjithatë, ai beson se nuk do ta humbë kurrsesi këtë përballje, e cila është e 302–ta me fanellën e Vllaznisë. “Shpresoj të jem në fushën e lojës. Nuk jam ende në 100% tim, por deri në fundjavë mund të them se do të jem aty ku duhet. Nuk ndiej dhimbje dhe them se gjithçka po shkon mirë. Shpresoj që të rikuperohem në kohë”,- ka përfunduar prononcimin mesfushori Amarildo Belisha.
Admir URUÇI