Vllaznia ka më shumë se 6 vjet që nuk arrin të fitojë në fushën e stadiumit “Flamurtari” të Vlorës. Rezultatet pozitive për të kanë munguar për një periudhë të gjatë, ndërkohë që krejt e kundërta mund të thuhet për ekipin vlonjat në ballafaqimet në Shkodër. Flamurtari mund të quhet pa frikë “macja e zezë” për kuqeblutë në fushën vlonjate. Fitorja e fundit e shkodranëve në këtë stadium daton më 7 prill 2007. Në atë takim ekipi ka arritur të fitojë 0-2, me gola të dy emrave të mirënjohur të futbollit shqiptar, shkodranit Suad Lici dhe elbasanasit Klevis Dalipi.

Në sezonet e fundit Vllaznia nuk ka arritur të marrë asnjë rezultat pozitiv. Një sezon më parë, kuqeblutë kanë humbur 3-1 në Vlorë përballë ekipit vendës. Një sfidë që për të dyja skuadrat në atë fundsezoni vlente më shumë për statistikë. Ndërsa shkodranët në këtë takim do të kërkojnë revanshin e humbjes së shkaktuar nga kuqezinjtë në javën e parë të këtij sezoni. Për Vllazninë kjo do të jetë një përballje e vështirë, edhe për vetë faktin se kundërshtari do të kërkojë që të marrë pikët maksimale në mënyrë që të largohet nga zona e ftohtë ku ndodhet.
Suad Lici – Një nga protagonistët e fitores së fundit të ekipit shkodran në Vlorë ka qenë edhe lojtari i kudogjendur, Suad Lici. Ai ka ditur të luajë në mbrojtje, mesfushë, por edhe të shënojë shumë gola, një të tillë edhe me Flamurtarin. “Natyrisht që nuk harrohen golat që shënohen ndaj ekipeve rivale, siç jemi ne me Flamurtarin. Përherë takime të tilla kanë treguar se këto dy skuadra janë të denja për njëra-tjetrën. Përballjet mes nesh janë ndjekur me interesim, pavarësisht se si kemi qenë në tabelën e klasifikimit. Janë dy shkolla të mëdha të futbollit shqiptar dhe përherë në sfidat mes tyre kanë kërkuar që të marrin maksimumin e pikëve. Unë shpresoj që ajo fitore e arritur në atë sezon 2006-2007 të përsëritet që në takimin e kësaj jave dhe të mos shtohen vitet që Vllaznia nuk ka arritur të fitojë në Vlorë”, – ka thënë Lici.
Parashikimi – Për ish-futbollistin e ekipit tonë përfaqësues, Vllaznia i ka mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv në Vlorë. Ndoshta si edhe në atë sezon, pranë skuadrës ka më shumë shkodranë se asnjëherë tjetër. “Mendoj se do të jetë një përplasje tipike mes dy shkollave të futbollit. Luajnë dy skuadra me numrin më të madh të lojtarëve vendës në gjirin e tyre. E kam ndjekur edhe takimin e parë në Shkodër dhe me thënë të drejtën kam vënë re një Flamurtar me djem të rinj, por që luante me një koncept futbolli. Kjo i ka munguar Vllaznisë në atë takim, por në takimet e tjera unë e kam parë këtë gjë tek ekipi im i zemrës. Unë kam shumë besim se Vllaznia ka forca ta përballojë me sukses këtë sfidë dhe, pse jo, t’i lërë pas ato vite të gjata pritjeje e të marrë një fitore që do kthente, në njëfarë mënyre, edhe stabilitetin në skuadrën tonë. E kam theksuar se nëse Vllaznia luan siç ka luajtur pse jo edhe në takimin e fundit me Besën, ku ka pasur shumë e shumë raste të pastra për shënim, atëherë rezultati pozitiv nuk do të mungojë. Shpresoj që sulmi ta bëjë mirë punën e vet dhe të shfrytëzojë në maksimum rastet e krijuara”, – ka përfunduar Suad Lici.

Admir URUÇI