Vllaznia e femrave në futboll u mposht ditën e djeshme në shifrat 1-2 përballë Valur. Shkodranet nuk arritën të kalonin kampionët e Islandës, të cilat tashmë do avancojnë në 32 më të mirat e Europës. Një trishtim ndoshta kjo disfatë e vajzave kuqeblu, por asnjëherë një dështim.

Kjo sepse është kjo Vllazni dhe kjo skuadër që e ka fituar 10 herë rradhazi kampionatin e vendit. Duke qenë ekipi më i mirë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, për të mos thënë në gjithë Ballkanin. Është kjo Vllazni që ka bërë krenar shqiptarët kudo ku janë me rezultatet e saj.

Ku në 5 vitet e fundit ka qenë në 3 raste në 32 ekipe më të mira të kontinentit. E jo më larg se sezoni i shkuar ishte pjesë e grupeve të Champions League për femra. Ku u përball me emra gjigandësh si PSG, Real Madrid dhe Chelsea. E ndoshta është “faji” i Vllaznisë që e ka ngritur aq lart standartin e futbollit të saj dhe atij shqiptar.

Sa që me cilindo ekip të ndeshen, tifozët llogarisin vetëm triumfin. E humbja ndaj Valur, që realisht është një ekip cilësor dhe që ka pasur rritje, nuk duhet konsideruar si dështim. Por thjesht një pikë nisje tjetër e një Vllaznie të futbollit femëror shumë më të fortë në sezonet pasardhëse.
Endri ÇINARI