E ardhmja e sulmuesit Hamdi Salihi në kampionatin amerikan të futbollit duket gjithnjë e më e largët. Skuadra amerikane, DC United, vazhdon të ketë bisedime intensive me sulmuesin shqiptar, Hamdi Salihi, në lidhje me të ardhmen e bomberit shkodran. Lajmin e bënë të ditur mediat amerikane, të cilat cituan drejtorin e përgjithshëm të klubit Dejv Kasper. Në fakt, Salihi ka një kontratë të garantuar edhe për sezonin e ardhshëm, por duket se për të ka interesime nga klube “përtej oqeanit”, pra në Europë dhe të transferohet edhe gjatë merkatos së dimrit.
Nëse kjo do të ndodhte, Junaitid do të kursente të paktën 300 mijë dollarë, aq sa ishte rroga bazë e Salihit, pa përfshirë këtu shtesat si lojtar më status të veçantë pagese, apo “designated player”, siç konsiderohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2012, Salihi u pagua 305 mijë dollarë pagë bazë dhe mori në total 487 mijë dollarë. Hamdi Salihi e mbylli vitin futollistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke realizuar gjashtë gola në 23 ndeshje me DC Junaitid, në kampionatin amerikan. Sulmuesi shkodran ka shënuar kundër Torontos (3), dhe nga një gol SJ Earthkuejks, Kolorado Rapids dhe Montreal Impakts. Gjithsesi, performanca e Salihit nuk e kënaqi klubin amerikan që, ka vendosur ta shesë, pasi rroga e Hamdiut është shumë e lartë (i dyti më i paguar në ekip). Ditët e fundit është bërë e ditur se DC United ka blerë një sulmues brazilian dhe duket se kjo është bërë pikërisht për të larguar Salihin.
www.shkodrasport.com