Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për nisjen e kampionatit për më 9 shtator është pritur mirë tek Vllaznia. Fakti që tek kuqeblutë nuk ka nisur ende stërvitja, nuk përbën ndonjë problem sepse koha për nisjen e përgatitjeve është e mjaftueshme. Asnjë ekip i Superligës shqiptare përveç atyre që marrin pjesë në Kupat e Europës nuk ka nisur stërvitjen dhe kjo vërteton më së miri atë se në Shkodër nuk janë të vonuar në këtë drejtim.

Ndërkohë sipas lajmeve më të fundit që dalin nga kampi kuqeblu, 2-3 ditët e ardhshme pritet të zhvillohet takimi i shumëpritur i të gjithë drejtuesve të klubit Vllaznia me pjestarët e stafit teknik. Me shumë mundësi në këtë takim do të jetë e pranishme edhe kryebashkiakja Ademi. Në të ashtu siç është deklaruar edhe më përpara, do të zhvillohet një analizë të sezonit të kaluar dhe po ashtu për të hedhur piketat e sezonit të ri. Koha për nisjen e punës është e mjaftueshme për më tepër që Vllaznia e sezonit të ardhshëm pritet të jetë kryesisht e bazuar tek futbollistët shkodranë ndërkohë që mund të blihen 3-4 futbollistë të tjerë. Shpresat duket se janë për të bërë gjëra të mira megjithatë duhet parë deri në fund kjo gjë. Ashtu siç pritej, kërkesa e disa klubeve për të shtuar numrin e futbollistëve të huaj, nuk është miratuar dhe klubi shkodran në fakt ka qenë mbështetës i kësaj ideje, nisur nga ajo që i beson më shumë futbollistëve të rinj të dalë nga Akademia.