Titulli i nënkampionit të Ballkanit marrë së fundi në Pitesht të Rumanisë nga atleti shkodran Ergys Gjeçaj, ka gëzuar të gjithë stafin e ekipit tonë kombëtar. Në veçanti presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës. Duket se disiplina e tij e preferuar, ajo e kërcimit së gjati, po rezulton më e suksesshmja për Federatën që ai drejton me rezultatet e arritura.
Pas Izmir Smajlajt që ka arritur të shpallet pak muaj më parë edhe Kampion Europe, tashmë kemi një tjetër sportist që pretendon të shkojë lart. Presidenti Ruli e vlerëson maksimalisht Gjeçajn për të cilin thotë: “Është një talent që ka forcën në rrahjen e pedanës dhe më pas dhe në kërcim. Mos harroni që ende nuk i ka mbushur 19 vjeç dhe në moshën 17-vjeçare kam thyer unë rekordin e të rinjve 7.64 metra. Gjithsesi unë do të bisedoj dhe me familjarët e tij në mënyrë që në shtator, së bashku me Izmirin të nisim një stërvitje më të profesionalizuar, sepse është talent në të gjithë pikëpamjen e tij”. Madje sipas Rulit, qoftë presidenti i sapozgjedhur i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, por dhe sekretari i përgjithshëm Stavri Bello duhet të kuptojnë se atletika është avangard i të gjitha sporteve. “Gjeçajt i takon bursa olimpike për të rinjtë që vjen solidariteti olimpik, sikurse me bursë duhet të ishte trajtuar dhe Izmir Smajlaj. Sepse këto janë e ardhmja e sportit, që shumë shpejt do të bëhen kampion Evrope dhe Bote. Nëse punojmë dhe përkrahim që tani këto talente, i fitojmë në kohë”. E në pamundësi për ta çuar në Botërorin e të rinjve në Najrobi të Kenias, më 12-16 korrik, atje ku Shqipëria do të përfaqësohet me Relaksa Dautin, Ergys Gjeçaj, tashmë nënkampion Ballkani i rikonfirmuar për të rinj, do të jetë pjesë e delegacionit shqiptar në Ballkaniadën e të rriturve në Novi Pazar të Serbisë më 15-16 korrik.
© shkodrasport.com