Ekipi i futbollit të femrave të Vllaznisë ka nisur fazën përgatitore në prag ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Vajzat kuqeblu gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e trajnerit Nikolin Leka I kanë kushtuar rëndësi mbajtjes së formës fizike ndërkohë që vetëm pas një jave apo 10 ditësh do të nisë faza më intensive e përgatitjeve me nga dy séanca në javë.

Natyrisht që objektivi i sivjetëm do të jetë kalimi I turit të parë dhe për këtë arsye skuadra duhet të përgatitet sa më mirë. Ndërkohë presidenti Lazer Matija vazhdon punën edhe me merkaton. Pasi ka bërë realitet marrjen e kapitenes së kombëtares shqiptare Albina Rrahmani dhe të dy malazezeve Paviçeviç dhe Xhukiç, është duke parë edhe për marrjen e një portiereje cilësore. Në fakt Vllaznia por edhe futbolli shqiptar I femrave ka vuajtur për portiere cilësore. Edhe në vitet e kaluara, skuadra kampione e Shqipërisë ka bërë pjesë të saj për ndeshjet europiane portiere të huaja. Njëherë një greke ndërsa vitin e kaluar portën kuqeblu e pat mbrojtur një serbe. Ende nuk është shumë e qartë se kush do të jetë portierja që do të luajë për Vllazninë në edicionin e sivjetëm të Ligës së Kampioneve megjithatë e rëndësishme është që ajo të ketë kualitet. Kampionet e Shqipërisë siç dihet, janë pjesë e grupit 10 ku bëjnë pjesë edhe ekipet kampione të Greqisë, Bosnjës dhe Luksemburgut. Shorti është përgjithësisht I pranueshëm dhe ndeshjet do të luhen në Bosnjë në datat 22-28 gusht. Deri atëherë duket se ka shumë kohë në dispozicion por në Shkodër nuk duan të humbin kohë dhe prandaj kanë nisur përgatitjet në mënyrë që të arrihet suksesi historik, kalimi për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të femrave, të një turi në këtë kompeticion të rëndësishëm siç është Liga e Kampioneve.

© shkodrasport.com