Shqipëria U17 barazoi 2-2 në ndeshjen e parë miqësore ndaj Malit të Zi U17. Skuadra e drejtuar nga Armand Dama zhvilloi një paraqitje të mirë, duke shënuar dy gola në pjesën e parë.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 18-të. Hyseni harkoi nga e djathta drejt zonës, ndërsa Ivanoviç devijoi në mënyrë të pavullnetshme topin në rrjetën e portës së skuadrës së tij.
Pa u mbushur gjysmë ore lojë, Shqipëria dyfishoi avantazhin me Hysenin, i cili këtë herë e dërgoi vetë topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Mali i Zi ngushtoi diferencën në minutën e 62-të. Shqipëria mbeti me 10 lojtarë në minutën e 83-të, pas kartonit të kuq të marrë nga Sharka.
Kur gjithçka po i drejtohej fundit, Mali i Zi gjeti edhe golin e barazimit në minutat shtesë me Bulatoviç, duke vulosur rezultatin 2-2. Ndeshja e dytë miqësore mes dy skuadrave do të luhet të hënën, në orën 11:00, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Siç dihet, pjesë e kësaj kombëtareje janë edhe tre futbollistët e Vllaznisë Rei Shpuza, Heldi Kopliku dhe Sebastian Gjeka, por asnjëri prej tyre nuk është preferuar të luajë si titullar në këtë ndeshje dhe me shumë mundësi do t’i shohim në fushë në ndeshjen e së hënës.


