Barazimi në Kukës nuk ka kaluar pa u analizuar në kampin shkodran. Madje, nga ana e trajnerit Shpëtim Duro nuk kanë munguar as kritikat në adresë të futbollistëve. Ata janë akuzuar në njëfarë mënyrë për mosimpenjimin e duhur në fushën e lojës. Analiza ka zgjatur rreth 20 minuta dhe është zhvilluar në këmbë para nisjes së seancës të pasdites. Ka qenë I pranishëm në këtë analizë edhe drejtori sportiv I klubit Armir Grima. Ai që ka folur më shumë ka qenë trajneri Duro. Në fjalën e tij para skuadrës, njeriu që drejton kuqeblutë këtë sezon, u ka kujtuar futbollistëve se duhet të bëjnë më tepër në fushën e lojës përballë çdo kundërshtari. Duke iu referuar ndeshjes së fundit me Kukësin të mbyllur në barazim, trajneri ka analizuar si dobësi mosfunksionimin siç duhet të reparteve dhe në veçanti të mesfushës e sulmit. Përveç kësaj, Duro ka ngritur si shqetësim edhe faktin që disa prej futbollistëve I janë “fshehur” dyluftimeve me kundërshtarin duke mos bërë diferencën ndaj tyre. Futbollistët e Vllaznisë kanë ulur kokën dhe kanë dëgjuar kritikat nga ana e trajnerit. Askush nuk ka folur dhe nisur nga ky fakt, Duro është ndalur edhe tek intervista e mbrojtësit Smajlit dy ditë më parë teksa akuzonte disa prej shokëve të tij të skuadrës të ardhur gjatë merkatos së verës se ende nuk ia dinin rëndësinë veshjes së fanellës të Vllaznisë. Në lidhje me këtë çështje, “timonieri” kuqeblu I është drejtuar në këtë mënyrë mbrojtësit lezhjan: “Nuk është mirë të dalësh në media dhe të flasësh në një mënyrë të tillë kundër shokëve të ekipit. Edhe unë kam ardhur tek Vllaznia këtë sezon dhe kam pranuar të punoj me Viorin, Legatën dhe pjestarët e tjerë të stafit që kanë qenë më parë por me idenë të krijojmë një grup sa më solid. Në këtë mënyrë, edhe ti duhet ta kuptosh se me këta shokë që ke në skuadër duhet të bashkëpunosh në mënyrën e duhur, sepse vetëm duke punuar në një mënyrë të tillë mund të kemi sukses”. Pas këtyre fjalëve, Smajli nuk ka thënë asgjë. Sigurisht që ai nuk është tërhequr nga ato çfarë ka thënë megjithatë në një ambjent të tillë, ka preferuar që këtë herë të heshtë. Në analizën e zhvilluar pasditen e djeshme ka folur edhe drejtori sportiv Grima. Ai duke parë gjithë futbollistët duke qëndruar kokëulur, është munduar të ngrejë moralin e tyre teksa ka thënë: “Nuk është vendi të qëndrojmë kokëulur por duhet të punoni për ta ngritur sërish skuadrën aty ku I takon. Nëse Vllaznia nuk e nisi mirë kampionatin, është në dorën tuaj t’I rregulloni gjërat. Shumica prej jush kanë fituar trofe gjatë karrierës suaj dhe kjo do të thotë se keni shumë përvojë mbi shpatullat tuaja. Me këtë përvojë, me këtë emër që keni krijuar, duhet të luftoni që edhe Vllaznia e sivjetme të arrijë objektivat që ka”. Me këto fjalë është mbyllur edhe analiza e kuqebluve. Kanë folur drejtuesit, të cilët e kanë për detyrë të rrisin moralin e skuadrës dhe të korigjojnë gabimet e vërejtura. Futbollistët nga ana tjetër vetëm kanë dëgjuar. Të ndërgjegjshëm se duhet të korigjohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
www.shkodrasport.com