Pa zhvilluar asnjë takim miqësor, Veleçiku I Koplikut do të paraqitet në ndeshje zyrtare. Ai do të luajë ndaj Skraparit në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë që do të luhet më 12 shtator. Kjo duket paksa e çuditshme por është mëse e vërtetë. Fillimi me vonesë I stërvitjes, ka ndikuar në këtë drejtim. Trajneri Besnik Duli megjithatë është optimist për një paraqitje të mirë të ekipit që drejton. Kthimi I Kurtajt, Çokajt, portierit Dorzaj, Osmanit, Ymeri etj, e ka përforcuar ndjeshëm ekipin dhe tashmë mbrojtja e mesfusha duken në rregull ndërkohë që edhe sulmi nuk duket të jetë problematik. Fakte shumë shqetësuese janë  mungesa e bazës materiale dhe e mbulimit të udhëtimit të disa futbollistëve nga qyteti I Shkodrës që luajnë për Veleçikun. Presidenti Ramadan Lika ka premtuar zgjidhjen e këtyre problemeve me kthimin e tij nga jashtë vendit por megjithatë ditët kalojnë dhe këto probleme duhet të marrin një zgjidhje sa më të shpejtë. Ka shumë djem të rinj nga Shkodra dhe kryesisht të dalë nga Akademia Vllaznia, që janë të gatshëm të luajnë për Veleçikun megjithatë ata duan që udhëtimin drejt Koplikut të paktën t’ua marrë përsipër klubi. E rëndësishme është që stërvitja vazhdon me shumë dëshirë nga të gjithë futbollistët dhe objektivi I tyre është nisja e mbarë e sezonit të ri me një fitore në ndeshjen e parë ndaj Skraparit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.