Shkruar nga Gjergj KOLA
Ditën e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” u zhvillua kampionati kombëtar i atletikës për 16 vjeçarët dhe ndër rezultatet më të mira të arritura në këto gara padyshim që ka qenë ai i atletes së Vllaznisë Elois Heta.
Në garën e kërcimit së gjati ajo arriti distancën 5.02 metra, më e mira për të deri më tani dhe që ka të bëjë me një rezultat shumë premtues për të ardhmen. Heta ka spikatur edhe në garën e kërcimit së larti ku ka arriturr të kërcejë 1.45 metra dhe ka zënë edhe aty vendin e parë duke u shpallur kampione kombëtare për këtë grupmoshë.
Kuptohet që Elois ka ende shumë rrugë përpara për të bërë dhe nëse vazhdon të punojë me të njëjtën dëshirë, mund të arrijë rezultate shumë të larta. Trajneri i saj Jetmir Jahaj është shumë i bindur se kjo sportiste do të arrijë të vendosë rekorde të reja.
Fakti që krahasimet e saj bëhen me ish- kampionen dhe rekordmenen e vendit Vera Bregu dhe rezultatet e arritura prej saj, tregojnë se synimet janë për t’ia thyer rekordin. Rezultati i djeshëm prej 5.02 metrash për këtë vajzë që muajin e ardhshëm mbush 15 vjeç është shumë premtues.
Dhe sigurisht që nga gara në garë prej saj presim të tjera arritje dhe të shpresojmë që brenda pak vitesh të kemi një rekordmene të re të vendit në garën e kërcimit së gjati, prej 6.53 metrash vendosur që në vitin 1989 nga Vera Bregu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


