HomeKRYESOREAntonio Marku mbyll një sezon të suksesshëm në Kosovë, pritet rikthimi i...

Antonio Marku mbyll një sezon të suksesshëm në Kosovë, pritet rikthimi i tij në Abissnet Superiore

Kampionatet në Kosovë kanë përfunduar dhe përveç Klaudio Lekës që siguroi ngjitjen në Superligë me ekipin e Lirisë së Prizrenit e Jurgen Gjinit që e mbylli sezonin tek Vllaznia e Pozhëranit, një paraqitje të mirë ka bërë edhe një tjetër futbollist shkodran që luan atje.

Kështu, bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Antonio Marku. Në fazën e parë të kampionatit që sapo u mbyll, ai ishte pjesë e Vëllaznimit të Gjakovës, me këtë skuadër që po kalonte një krizë të plotë. Si rrjedhojë, u largua prej saj, duke kaluar tek A&N e Prizrenit, me të cilën ka vijuar të shfaqë vlerat e tij.

Marku ishte njëri ndër protagonistët kryesor për këtë ekip, duke qenë një futbollist mjaft vendimtar me ndërhyrjet e tij në qendër të mbrojtjes. Padyshim, ai u shndërrua në një lider të këtij reparti tek ekipi i A&N-së së Prizrenit dhe një futbollist kyç për këtë skuadër.

Ndërkohë, tashmë kontrata e Antonio Markut me A&N e Prizrenit ka përfunduar dhe ai për momentin ndodhet në Shkodër pranë familjes, teksa ende nuk e ka vendosur se me cilën skuadër do të luajë në sezonin e ri.

Ai ka disa oferta nga skuadra të kampionatit kosovar, por me shumë gjasa do të rikthehet të luajë në Abissnet Superiore, por nuk përjashtohen edhe opsionet e tjera në Kosovë. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë dhe zbuluar në vazhdim, me Antonio Markun që ndoshta mund të rikthehet të luajë në Shqipëri pas pesë vitesh mungesë.
Maringlen ZHIVANI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments