Kampionatet në Kosovë kanë përfunduar dhe përveç Klaudio Lekës që siguroi ngjitjen në Superligë me ekipin e Lirisë së Prizrenit e Jurgen Gjinit që e mbylli sezonin tek Vllaznia e Pozhëranit, një paraqitje të mirë ka bërë edhe një tjetër futbollist shkodran që luan atje.

Kështu, bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Antonio Marku. Në fazën e parë të kampionatit që sapo u mbyll, ai ishte pjesë e Vëllaznimit të Gjakovës, me këtë skuadër që po kalonte një krizë të plotë. Si rrjedhojë, u largua prej saj, duke kaluar tek A&N e Prizrenit, me të cilën ka vijuar të shfaqë vlerat e tij.

Marku ishte njëri ndër protagonistët kryesor për këtë ekip, duke qenë një futbollist mjaft vendimtar me ndërhyrjet e tij në qendër të mbrojtjes. Padyshim, ai u shndërrua në një lider të këtij reparti tek ekipi i A&N-së së Prizrenit dhe një futbollist kyç për këtë skuadër.

Ndërkohë, tashmë kontrata e Antonio Markut me A&N e Prizrenit ka përfunduar dhe ai për momentin ndodhet në Shkodër pranë familjes, teksa ende nuk e ka vendosur se me cilën skuadër do të luajë në sezonin e ri.

Ai ka disa oferta nga skuadra të kampionatit kosovar, por me shumë gjasa do të rikthehet të luajë në Abissnet Superiore, por nuk përjashtohen edhe opsionet e tjera në Kosovë. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë dhe zbuluar në vazhdim, me Antonio Markun që ndoshta mund të rikthehet të luajë në Shqipëri pas pesë vitesh mungesë.
Maringlen ZHIVANI