Riorganizimi i Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik dhe më konkretisht, emërimi i trajnerit të ri Migen Memelli dhe zv/trajnerit, Ndriçim Shtubina, është në fokus të opinionit sportiv shkodran gjatë këtyre ditëve. Një gjë e tillë është diskutuar edhe mbrëmjen e djeshme në emisionin Studio Sport në ekranin e RTSH Shkodra.

Një nga të ftuarit në panel ishte edhe gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani. Ky i fundit u shpreh se përzgjedhja e Memellit ishte brenda pritshmërive, duke marrë në konsideratë faktin se këtë sezon do të ketë në masë shkurtime të shpenzimeve, ndërsa theksoi se e çudit emërimi i drejtorit sportiv, Elvis Plori, në atë pozicion, ku thotë se me këtë lëvizje e kuptoi se sivjet nuk do të jetë një Vllazni siç e presin tifozët.

“Të them të drejtën, kjo përzgjedhje e Memellit ishte brenda pritshmërive, pasi në ndeshjet e fundit të këtij sezoni, u përfol se presidenca ka mbetur e zhgënjyer disi nga zhvillimet e këtij sezoni dhe do të kishte një qasje tjetër ndaj ekipit. Qasja ishte e tillë që do të kishte një shkurtim shpenzimesh dhe nuk do të ishte më ajo Vllaznia që do të afronte futbollistët e mëdhenj.

Në fillim, kisha atë idenë se janë thjesht informacione të gabuara, të dalura nga brenda klubit, por ajo shkëndija e parë që u dha për mua, ishte emërimi i drejtorit sportiv, Elvis Plori. Një person, i cili ka qëndruar brenda tre viteve në klub dhe sërish promovohet në një pozicion tjetër. Kjo ma dha direkt atë shenjën e parë që nuk do të jetë një Vllazni, ashtu siç e presim ne dhe ashtu siç e presin tifozët.

Më pas me emërimin e Plorit, kur ne ndërkohë prisnim që të ishte një figurë tjetër, ndoshta edhe më e madhe që mund të njohin tregun shqiptar, tregun kosovar apo edhe atë europian të futbollistëve, erdhi edhe emërimi i Memellit. Për Memellin ishte totalisht brenda pritshmërive, sepse klubi ka pasur kontakte me shumë emra të njohur dhe nuk kanë rënë dakord.

Klubi ka pasur kontakte me Brdariç dhe pengesë ishte paga shumë e lartë nga ajo që kishte vendosur Vllaznia. Po ashtu, ka pasur kontakte me Skënder Gegën. Me Armando Cungun normalisht që nuk përputhen idetë e tij me drejtuesit e klubit dhe me ata që kanë përsipër klubin.

Atëherë, zgjidhja u gjet për të marrë një trajner “low-cost”, një trajner me pagë më të vogël dhe një trajner me një profil të ulët. Në këto kushte, normalisht që do të gjendej një si Memelli. Ky i fundit është një person që ka pasur probleme me tifozërinë e Vllaznisë dhe probleme në Shkodër.

Tifozët e kundërshtuan edhe kur doli nga konferenca e prezantimit të tij në Shkodër, ku ka patur disa momente tensioni. Për mua, nuk janë gjëra të mira, sepse në fund të fundit është një ish-futbollist dhe një trajner sot.

Mos të harrojmë se ka pasur përplasje jo vetëm mes tifozëve të Vllaznisë dhe Memellit, por edhe mes futbollistëve të Vllaznisë dhe tifozëve shkodranë. Kemi sezonin aktual, ku një mesfushor i Vllaznisë, në qoftë se doni ia përmendim edhe emrin, u kthye dhe shau tifozët. U mbyll me kaq. Kemi dy-tre futbollistë aktualë që kanë pasur probleme me tifozët dhe u harrua për 24-orë.

Megjithatë, ajo që më pëlqen mua të paktën nga gjithë kjo “gjellë e keqe që po gatuhet”, më pëlqen fakti që kanë marrë një trajner të ri në moshë të re dhe nuk kanë shkuar të marrin ndonjë trajner në moshë të vjetër, 60-vjeç e sipër, të cilët nuk kanë më as ego, nuk kanë më as ambicie për të shkuar më lart. Shpresojmë që Memelli të gjejë atë kurajon e duhur në Shkodër për të ecur përpara, por të vështirë e kam ta besoj, duke pasur parasysh edhe stafin teknik.

Shtubina është një profesionist, një ish-futbollist i Vllaznisë që ka dhënë gjithçka për këtë ekip, ku ka luftuar fort. Bëri mirë edhe tek Egnatia, por ka mungesë eksperience. Normalisht, është i ri. I ri është edhe Plori në atë pozicion. Pra, bëhen tre persona të rinj në drejtimin e Vllaznisë. I ri është edhe vetë presidenti Alban Xhaferi dhe pastaj, nuk e di se ku po dalim”,-tha gjatë prononcimit të tij gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani.