Jozef Marashi ishte një nga futbollistët më të spikatur të Vllaznisë U-17 në sezonin e fundit, që u kurorëzua me fitimin e titullit kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Mbrojtësi i krahut të majtë bëri paraqitje të mira për shkodranët, duke shënuar edhe një gol në Superioren e grupmoshës së tij.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai shfaqet i kënaqur me sezonin e tij te Vllaznia U-17, por e pranon se duhet akoma më shumë punë për të arritur në majë. Mbrojtësi i krahut të majtë thotë se ka ambicie të mëdha për të ardhmen e tij, të cilat i zbulon në intervistën për “Shkodra Sport”.

Marashi u shpreh se Vllaznia U-17 i bëri një mbyllje mjaft të bukur këtij sezoni, ndërsa theksoi se Tirana ishte ekipi më i fortë për kuqeblutë në këtë edicion futbollistik. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Jozef, e mbyllët sezonin me fitimin e titullit kampion dhe me Kupën, besoj tepër i kënaqur për këto arritje apo jo?

Ne bëmë një mbyllje të sezonit shumë të bukur. Realisht, mbyllëm një sezon të vështirë, ku në pjesën më të madhe kemi qenë në vendin e parë. Ndoshta, edhe duke qenë se kishim në krye një trajner si Gilman Lika, e arritëm objektivin. Megjithatë, kemi edhe një turne në Kosovë, të cilin besoj që do ta fitojmë për t’i bërë një mbyllje të bukur këtij sezoni fantastik. Unë jam i kënaqur me këtë arritje. Jam mjaft i lumtur, pasi ky ishte një sezon shumë pozitiv, sepse kishim ambicie të larta. Shpresoj ta vazhdojmë kështu.


-Jeni i kënaqur me sezonin që kryet, pasi ishit realisht ndër futbollistët më të mirë të ekipit tuaj?

Po, e vërtetë. Unë jam shumë i kënaqur me ecurinë time në këtë ekip. Jam i kënaqur për punën që kam bërë dhe për këtë dua të falënderoj drejtorin e Akademisë Vllaznia, Alban Neziri dhe trajnerin Gilman Lika për mundësinë që më dhanë. Gjithsesi, unë besoj se më pret një punë e madhe për të arritur ato nivele që dëshiroj. Pra, duhet më shumë punë. Shpresoj që ta vazhdoj kështu.


-Cili ishte ekipi më i fortë në kampionat sipas jush që ju hapi më shumë punë?

Ekipi më i fortë i këtij sezoni ishte ekipi i Tiranës, i cili ishte pretendent për dy trofetë e këtij sezoni. Megjithatë, ne bëmë punën tonë dhe i sollëm te dy trofetë në Shkodër.


-E fundit Marashi për ta mbyllur, ku e sheh të ardhmen tënde?

Shpresoj që e ardhmja ime të jetë me ekipin e parë të Vllaznisë, por edhe te Kombëtarja e Shqipërisë. Po ashtu, shpresoj që në sezonin e ri me ekipin e Vllaznia U-17 të jemi sërish edhe më konkurrues dhe të shohim gjithmonë nga vendi i parë në klasifikim, që ta fitojmë titullin kampion për të tretin vit rradhazi.
Maringlen ZHIVANI