Vllaznia humb sërish. Pas distatës me Luftëtarin javën e shkuar, ajo është mundur edhe nga Laçi. ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e së mërkurës në Laç kur në fund të 90 minutave, është shënuar rezultati 1-0 për vendasit. Djemve të drejtuara nga trajneri Ramadan Ndreu u ka mjaftuar goli i braziliani Akuino shënuar në fundin e pjesës së parë, për të marrë një trepikësh shprese për të ardhmen. Nga ana tjetër, pas kësaj humbje, shkodranët e shohin shumë të vështirë të ardhmen. Ndeshja sidomos në pjesën e parë ka patur rivalitet.

Madje, janë futbollistët e Vllaznisë që në 2-3 momente me anë të Shtubinës, Pepës dhe Bicajt, kanë edhe mundësi të shënojnë. Në minutën  e 42-të, Vllaznia pretendon për një prekje të topit me dorë nga njëri prej mbrojtësve të Laçit brenda zonës së rreptësisë dhe kërkojnë nga gjyqtari Klajdi Kola 11-metërsh apo ai vazhdon lojën. Pikërisht prej këtij momenti, do të vinte një kundërzbritje e shpejtë e laçianëve dhe braziliani Akuino gjuan fort në hyrje të zonës duke mposhtur portierin Agoviç dhe topi përfundon në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në të dytën pritej një reagim më i fortë i kuqebluve por nuk ndodh kështu. Madje, është Laçi në 2-3 momente shumë pranë realizimit të golit të dytë. Atyre do t’ua bënte më të lehtë fitoren edhe mbrojtësi Cicmil i Vllaznisë që në minutën e 79-të, bën një ndërhyrje të panevojshme me taka ndaj njëri prej lojtarëve kundërshtarë dhe arbitri i tregon menjëherë të kuqen. Kaq do mjaftonte që ekuilibrat në fushë të prisheshin megjithatë në minutën e 85-të Pepa ka qenë shumë pranë golit të barazimit por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Më pas nuk ka më asgjë dhe përfundimisht 1-0 për Laçin që me këtë fitore i rikthen vetes shpresat për mbijetesë ndërkohë që Vllazninë duket se e pret një dimër i ftohtë edhe këtë sezon.

© shkodrasport.com