Mesfushori brazilian, Viktor da Silva pritet që të jetë mungesa e vetme në takimin ndaj Partizanit të shtunën në “Loro Boriçi” në llogari të javës së 30-të të Kategorisë Superiore.

Lajmi i mirë në kampin kuqeblu është se e gjithë pjesa tjetër e ekipit do të jetë e gatshme. Madje, edhe dy lojtarët, të cilët kishin shfaqur probleme muskulore pas takimit me Teutën, sulmuesit Ante Aralica e Ardit Hoxhaj, mësohet se janë drejt rikuperimit të plotë.

Ato priten që të jenë të gatshëm për sfidën e radhës. Vllaznia kërkon minimalisht të arrijë vendin e katërt deri në fund dhe kjo sfidë do të vendosë shumë për fatet e këtij sezoni.

Tekniku Plori nga dita në ditë duket se po skicon edhe emrat, që do të hedhë nga minuta e parë për takimin e së shtunës. Nga sa mësohet, formacioni anti-Partizani do të ketë vetëm një ndryshim nga ai që tekniku hodhi në fushë në përballjen e Kupës me të kuqtë.

Në vend të Da Silvës pritet që të jetë Gjurgjeviç, ndërsa 10 lojtarët e tjerë pas rikthimit nga pezullimi të Bulatoviçit pritet të jenë të njëjtët. Në portë pritet Zogoviç, në mbrojtje katërshja e përbërë nga Gurishta, Adili, Bulatoviç e Hakaj.

Në mesfushë dyshja Jonuzi e Krymi, ndërsa në mbështetje të sulmuesit kryesor Ante Aralica pritet që të jenë treshja e përbërë nga Kruja, Gjurgjeviç e Latifi. Gjithsesi, deri të shtunën tekniku Plori mund të vendosë edhe për ndonjë lëvizje të mundshme.