Teuta-Laçi ishte sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e zhvilluar në “Niko Dovana”, u mbyll me rezultatin 1-2 për kurbinasit. Sfida u vendos nga golat e Ujkës dhe Adeleke për Laçin, ndërsa për Teutën shënoi Todorovksi falë edhe një devijimi nga mbrojtja laçiane. Laçi është me një këmbë në finalen e Kupës, por gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit. Pas ndeshjes në intervistë për “Gol pas Goli”, trajneri i Teutës, Renato Arapi u shpreh:

“Do të tentojmë gjithçka në ndeshjen e kthimit. E kishim përgatitur skuadrën për të qenë të kujdesshëm, por pësuam gol shumë shpejt. Më vjen keq për golin e dytë pasi kemi punuar shumë për ato momente. Jam i kënaqur me ndërrimet e bëra pasi reaguam dhe me golin në fund jemi në lojë për ndeshjen e kthimit.

Nga jashtë mund të flasim shumë, por ne brenda i dimë problematikat. E nisëm lojën me kujdes, e prandaj kemi zgjedhur këtë mënyrë. Lojtarët e sulmit duhet të jenë më të qetë dhe duhet të marrin me shumë përsipër. Me hyrjen e Hykës e Plakut, ndryshuam ritmin.

Sfida e kthimit do të jetë e vështirë pasi do të kërkojmë ta fitojmë. Kur kërkon të fitosh normale që do të lësh hapësira mbrapa, por kemi kohë për ta përgatitur këtë ndeshje. Duhet të kemi durim për të punuar pasi për këtë punë jemi këtu”.

Penalltia e anulluar me VAR? “Nga pamjet nuk mund të them asgjë pasi mund të ketë kontakte te këmba e sulmuesit. Po ta shikojmë ka kontakt pasi Hebaj ka qenë i fokusuar te topi, ndërsa kundërshtari ka qenë më i fokusuar te Hebaj se te topi”, u shpreh Arapi./newsport/