Analizë nga Redan BUSHATI

Ashtu si në javët e kaluara, edhe në këtë javë të nëntë të Kategorisë Superiore, ka pasur gabime në arbitrim. Madje, gabime të cilat kanë ndëshkuar jo pak skuadrat. Laver Alla në Besa-Skënderbeu është bërë protagonisti kryesor i këtij takimi, teksa ka akorduar një penallti të paqenë për miqtë dhe nuk ka anuluar golin e vendasve, me anë të Mihanit, përpos gabimeve të tjera, të cilat gjithsesi nuk kanë qenë të kësaj shkalle. Nga arbitri kryesor ndëshkohen edhe krutanët në Vlorë, teksa mbesin me 10-të lojtarë në fushën e lojës dhe pikërisht nga gabimi i arbitrit vjen edhe goli i parë i vendasve, që i hap rrugë goleadës vlonjate: gabon në mënyrë flagrante kryesori Emirjon Sino, që është edhe “kandidatë” për stemën e FIFA-s. Probleme me gjykimin edhe në ndeshjen Tirana-Kukësi, ku një penallti dhe disa momente të tjera lënë vend për dyshime, ndërkohë që takimin e ka gjykuar “bilbili” ndërkombëtar Enea Jorgji.
Përmenda pak më sipër, si hyrje shtjellimi, vetëm gabimet e (pa)qëllimshme të gjyqtarëve në një javë të vetme, pasi po të analizojmë një nga një të gjitha javët, kam përshtypjen se bëhen një “mal” me to. Ja pra, që arbitrimi i dobët, shpesh ndikues në rezultatin e një ndeshjeje, është një nga arsyet e shumta që futbolli ynë është i një niveli të ulët në krahasim me thuajse të gjitha vendet evropiane. Por, çdo e keqe e ka një të mirë, që në këtë rast më shumë se gjithë të tjerëve na shijon ne, shkodranëve. Kanë kaluar 9-të javë nga fillimi i Superligës Shqiptare dhe në asnjë ndeshje nuk ka pasur probleme me gjykimin, kur të pranishëm kanë qenë arbitra nga Shkodra. Nuk dua të bëhem këtu dalzotës apo provincial, që çdo “prodhim” i vendit të tij i duket më i mirë se gjithçka tjetër. Jo, jo, në asnjë mënyrë! Ne duhet të krenohemi të gjithë me ecurinë pozitive të arbitrave të Kolegjiumit të Shkodrës. Qytetarët, futbolldashësit, tifozët e zjarrtë shkodranë, media vizive dhe ajo e shkruar, e veçmas gazetarët sportivë në qytetin tonë e më gjerë, pse jo në të gjithë Shqipërinë, duhet t’i thurin “elozhe” e t’i lënë sadopak hapësira arbitrave nga Shkodra, që janë shembull për sa i përket gjykimit. Së paku deri më tani kanë treguar një nivel të lartë, jo vetëm në krahasim me shumë kolegë të tjerë me apo pa tituj, por të denjë për të gjykuar edhe ndeshje ndërkombëtare.
Në ndeshjen e luajtur në Peqin, ku si për ironi të fatit aty ku pistoleta përdoret si “vuvuzelë”, dërgohen për të disatën herë arbitra nga Shkodra, në ndeshjen Shkumbini-Apolonia, e cila pati edhe mjaft tension nga fundi i takimit, ndërsa treshja shkodrane me kryesor Ditmar Jubicën dhe asistentët e tij, Marjan Qeseri dhe Gjovalin Bori, performuan në mënyrë të suksesshme, aq sa në asnjë media nuk ka pasur kritika për gjykimin në këtë sfidë. Po ashtu, në Tomori-Bylis, njëri nga asistentët ishte nga Shkodra, e pikërisht Melis Dervishi, i cili po ashtu tregoi vlerat e tij profesionale, e jo më kot mban edhe stemën e FIFA-s si asistent.
Kësisoj, Kolegjiumit të Shkodrës duhet t’i japin më shumë ndeshje në ngarkim nga java në javë, kjo pasi me gjykimin e paanshëm dhe të drejtë ndihmojnë për një futboll me cilësi më të lartë. Gjithashtu, në mënyrë të habitshme gazetat sportive në vend “shëtisin” vëmendjen e tyre mediatike në disa emra gjyqtarësh, që duket sikur gabimin e kanë pjesë të pandashme të qenies së tyre (pa gjykuar këtu, se gabimet bëhen me apo padashje), në vend që, si Ditmar Jubica, Melis Dervishi, Dritan Salaj, Marjan Qeseri, Gjovalin Bori, Sonil Zekaj, Agron Kastrati, Pajtim Lapi, Fisnik Thorja, Nikolin Sterkaj, Luiz Jubani, Said Ahmeti e sa e sa të tjerë të Kolegjiumit të Shkodrës, me në krye Mhill Shkëmbin, të zënë vendin që u takon, meritë e padiskutueshme e performancës së tyre pozitive. Së fundi, duke përgëzuar arbitrat shkodranë për paraqitjen e tyre të mirë, të gjithë bashkë, me gazetarë, media e qytetarë duhet të vlerësojmë më objektivisht vlerat profesionale. Kjo, pasi rëndom ne shkodranët nuk e vlerësojmë sa duhet njëri-tjetrin, e pastaj nuk kemi si të pretendojmë që të tjerët nga jashtë të vlerësojnë njerëzit e qytetit tonë, edhe pse në raste të tilla plotësisht e meritojnë. Mos harroni, jemi të Zotit e tek ai do të shkojmë, se themi ca fjalë të mira aty ku duhet dhe tërheqim pak “veshin”, sa për t’u mos u këputur, aty ku ka nevojë, si përshembull te loja e dobët që po zhvillon ekipi i futbollit Vllaznia, asgjë e keqe s’na bëhet.