Opinion nga Anton ZALLI

Që Vllaznia u skualifikua nga Kupa e Shqipërisë pikërisht nga Shkumbini që hyri në fushën e lojës me 18 vjeçarë, për disa ky fakt nuk përbën lajm. Që gazetarët dhe mediat kërkojnë të mësojnë më shumë rreth zhvillimeve të fundit në kampin shkodran pas atij dështimi dhe skualifikimi të papritur, sërish as kjo nuk përbën lajm. Që Vllaznia e kishte si objektiv kryesorë Kupën e Shqipërisë dhe nuk arriti dot të kalonte me tej duke dështuar përballë tifozerisë së saj me një lojë aspak cilësore, as kjo nuk përbën lajm. Që drejtuesit e skuadrës u takuan menjëherë pas skualifikimit të ekipit, kurrsesi një fakt i tillë nuk mund të përbëjë lajm. Siç duket në syrin e disave që normalisht kanë disa vite në gazetari, faktet e mësipërme nuk përbëjnë kurrfarë lajmi e as interesi për mediat por vetëm e vetëm kërkojnë të shpikin lajme sa për të hapur faqet e para. Madje dhe vëmendja që mediat lokale dhe ato qëndrore i dhanë skualifikimt të Vllaznisë për disa mund të ishte e parëndësishme, madje dhe mund të kalohej pa u pasqyruar, pasi sipas tyre nuk ishte ndonjë lajm kushedi se çfarë. Por e vërteta është se ai hap falls ishte një surprizë e pakëndshme e natyrisht një skualifkim që duhej pasqyruar madje me germa shumë të mëdha. Por sot, për ndonjë pjestarë të stafit të Vllaznisë i vetmi fakt që përbën lajm dhe që dita ditës duhet mbushur faqja zyratre e ekipit është vetëm përgënjështrimi dhe justifikimi për situata të ndryshme, ashtu siç ishte dhe skualifikimi i kuqebluve nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në shqipëri pas kampionatit, Kupa e Republikës. E kjo prej shumë kohësh u bë e rrugës, me përgënjështrime të një pasnjëshme, duke shprehur talentin në të gjitha drejtimet. Të parët që janë etiketuar janë gazetarët sportiv shkodranë dhe në mediat ku punojnë pasi të cilët kërkojnë të sajojnë lajme në kurriz të skuadrës dhe që nuk i shërbejnë aspak asaj. Në të vërtetë qëndron plotësisht e kundërta dhe se ajo çfarë përmban lajm për një gazetar apo dhe për një tifoz që ndonse nuk ka një letër apo një media për të shkruar e ka mëse të qartë se çfarë duhet të pasqyrojë. Sot në kampin shkodran nuk është aspak e vështirë të gjesh lajmin apo dhe ta pasqyrosh atë. Madje para pak kohësh, lajm nuk përbënte as fakti se skuadra e Vllaznisë që atëherë mbante vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat, nuk kishte bazë materiale. Apo sërish nuk është ndonjë lajm interesant fakti se shumë specialistë madje dhe tifozë kërkonin që ekipi të rriste përformancën dhe cilësinë e lojës në mënyrë që të kishte më shumë sukses. Kjo kurrsesi nuk mund të ishte një lajm interesant pasi justifikimi ishte gjetur, Vllaznia po merrte pikë. Po tashmë që situata është ashtu siç u parashikua? As tani nuk ka lajm. Epo fatkeqësia më e madhe e atyre që kërkojnë të përgënjështrojnë, të përcaktojnë çfarë dhe ç’ka përbën apo nuk përbën lajm është thjesht interesi përsonal për ti shërbyer një pozicioni të caktuar. Ndërkohë për të sqaruar të gjithë opinionin, natyrisht ato që akoma nuk e kanë të qartë dhe nuk e kanë kuptuar se kush është pjesa ndarëse mes interresit të një pozicioni të caktuar dhe të një gazetarie të vërtetë është mungesa e asaj që quhet konflikt interresi. Duke folur në emër të gjithë gazetarëve sportiv shkodranë e sigurisht ato që shkruajnë në mediat sportive duket qartë që nuk ka asnjë interes përsonal për të stisur lajme e për të shpikur lajme të pavërteta që mund të ndikojnë për keq në ekip. Madje sa për kujtesë të atyre që u punon vetëm kujtesa afatshkurtër, jemi pikërisht ne që kemi ecur e do të ecim një hap përpara zhvillimeve që do të ndodhin në kampin shkodran duke nxjerrë gjithmonë lajmin të parët ndryshe nga ajo çfarë kërkohet të botohet apo të hidhet në qarkullim si një lajm zyrtar. Natyrisht kjo praktikë e jona e të punuarit nuk ka asgjë të keqe dhe aspak negative për skuadrën. Madje në gjithë opinionin sportiv, në media qoftë lokale e kombetarë, vizive e të shkruara nuk ka asnjë gazetar që e mbron skuadrën e qytetit të tij siç e bëjnë me fanatizëm gazetarët shkodranë. E për ta vërtetuar, pikërisht pas skualifikimit të Vllaznisë nga Kupa e Shqipërisë, interesi i jonë por jo vetëm, ka qenë për të mësuar rreth zhvillimeve të fundit në kampin shkodran. Për ne është mëse e logjikshme dhe e pranueshme që një ekip dhe një staf drejtues duhet të reagojë kur skuadra dështon në objektivat e saj (për dikë kjo është një nxitje dashakeqëse dhe një lajm kundër Vllaznisë). Për ne është me shumë interres takimi që bëjnë drejtuesit direkt pas skualifikimit pasi ishte mënyra më e mirë për të diskutuar e njohur me arsyet e skualifikimit e natyrisht nxjerrjen e një mendimi apo opinioni paraprak. Por edhe kjo pjesë nuk është lajm pasi në të vërtetë drejtuesit ndonse kanë diskutuar nuk qenkan mërzitur aq shumë, saqë bisedat dhe telefonatave të gazetarëve u janë përgjigjur me transferim thirrjeje e humor. Pra këtu fillon diferenca, ne gazetarët merzitemi e merakosemi më shumë për ecurinë e skuadrës, madje qëndrojmë në kushte skandaloze në stadium në shi e në të ftohtë vetëm e vetëm që të ndjekim e të pasqyrojmë Vllazninë. Për ta mbyllur pasi kjo çështje kurrsesi nuk mund të konsumohet vetëm në 10 rradhë shkrim, drejtuesit e Vllaznisë apo pjestarë të stafit të saj në vend që të punojnë maksimalisht për ndeshjet që kanë mbetur dhe asaj që duhet të arrihet, nuk duhet të merren me përgënjështrime të njëpasnjëshme. Pasi këtu mund të lindin mendime të ndryshme, a punohet realisht për skuadrën apo për replika e kundër replika me mediat…?!