Në ndeshjen e djeshme ndaj Partizanit, për Vllazninë u rikthye edhe sulmuesi Ardit Hoxhaj, i cili prej muajsh qëndronte jashtë fushave për shkak dëmtimi.
Sulmuesi vlonjat shkëlqeu në sezonin që shkoi, por dëmtimet e kanë penguar shumë në këtë vit. Sezonin e kaluar, Hoxhaj ka qenë ndër më të spikaturit në fushë në pothuajse të gjitha ndeshjet, duke u kthyer në problem të vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.
Vjet, Hoxhaj rezultoi vendimtar në disa ndeshje dhe ndërkohë që, tashmë së fundmi, ai është rikthyer sërish në formacionin e Vllaznisë dhe duket se i ka lënë pas njëherë e mirë problemet fizike që ka pasur. Megjithatë, a do të rezultojë vendimtar Hoxhaj, ashtu sikur sezonin e vjetshëm, në ndeshjet e mbetura në vazhdim të shkodranëve?
Kjo mbetet për t’u parë, megjithatë thjeshtësia e tij duket se së bashku me Da Silvën, i jep një tjetër impuls lojës sulmuese të Vllaznisë. Në Shkodër, presin shumë që Ardit Hoxhaj të rikthehet sa më parë në formën e tij më të mirë dhe të shënojë sa më shumë gola për fanellën shkodrane.
Maringlen ZHIVANI