Ardit Krymi ishte një nga largimet e kësaj merkatoje nga Vllaznia. Mesfushori me tipare mbrojtëse pasi shërbeu për 8 sezone për skuadrën e tij të zemrës më në fund bëri hapin e madh për tu transferuar në një kampionat jashtë vendit.

Dhe pikërisht do ishin kampionët e Bjellorusisë, Shakhtyor Soligorski që afruan në rradhët e tyre 26-vjeçarin. Krymi menjëherë u prezantua si titullar në ekipin e ri, ku nga momenti që ka mbërritur në skuadër, i ka luajtur gjitha ndeshjet e plota. Duke mos munguar kështu në asnjë minutë deri më tani, si në kampionat apo edhe në Europë.

E ditën e djeshme skuadra e tij arriti një fitore në javën e 13-të të kampionatit në shifrat 1-2 përballë Belshinas. Një sukses shumë i rëndësishëm ky në transfertë që lë skuadrën e shkodranit për momentin në vendin e 6-të në renditje me 24 pikë, 5 më pak se kryesuesit e Bate Borisov. Por me Soligorskin që ka edhe dy ndeshje më pak se Bate për të luajtur në kampionat.

Për tu rikthyer tek Ardit Krymi, në ndeshjen e djeshme ai u pa në një pozicion që e kemi pare rrallë herë. Krymi u aktivizua në rolin e qendërmbrojtësit duke zhvilluar një ndeshje shumë pozitive. Rol që në emergjencë e ka bërë edhe tek Vllaznia në ndonjë ndeshje. Pozicionimi i Krymit si mbrojtës tregon edhe njëherë për vlerat e tij dhe besimin që ka skuadra bjelloruse tek shkodrani.
Endri ÇINARI