Ardit Krymi u largua nga Vllaznia pas dy kupave të fituara radhazi, duke vijuar karrierën me Shaktjor Soligorsk në Bjellorusi, ku dhe u shpall kampion për herë të parë në karrierën e tij.

Në prag të ndeshjes me Partizanin, mesfushori që ka luajtur tetë vite me fanellën kuqeblu, foli për gazetën “Panorama Sport” rreth ecurisë e Vllaznisë, ndeshjen e nesërme dhe atë që sipas tij i mungon ekipit për të bërë hapin e madh.

Krymi është i bindur se me grupin që kanë kuqeblutë, do të jenë për titull deri në fund. Sipas mesfushorit, me “demat” duhet shmangur patjetër humbja.


Ardit, si e keni parë Vllazninë në kampionat deri më tani?

I kam ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet dhe mendoj deri më tani Vllaznia duhet që të kishte të paktën edhe 6 pikë më shumë. Kanë gabuar shumë dhe tashmë duhet që të flisnim ndryshe.

Ku mendoni se ka gabuar më tepër ekipi këtë periudhë?

Së pari, unë mendoj se Vllaznia ka lojtarë shumë të mirë dhe në ndeshje ku nuk duhej diskutuar fitorja, ka lënë pikë. Skuadra duhet të funksionojnë si një grup, sepse nëse arrijnë të luajnë për njëri-tjetrin, do ta kenë më të thjeshtë. Nëse punojnë si grup, atëherë edhe gjërat do të jenë shumë më ndryshe për skuadrën.


Cila është pika ku ekipi ka çaluar dhe duhet të përforcohet sipas jush?

Me atë që kam parë, ka nevojë vetëm për një sulmues.

Nesër i pret Partizani, si e shikoni këtë përballje me kryesuesit e kampionatit?

Sigurisht që është një ndeshje e fortë, që kërkon përqendrim maksimal në çdo moment të saj. Vllaznia duhet të futet në fushën e lojës për tri pikë, sepse i kanë mundësitë. Megjithatë, për mua minimumi është që të mos e humbasin këtë sfidë, sepse kampionati është i gjatë dhe nuk mbaron ndaj Partizanit.


Përveç mbrojtësi Bulatoviç dhe Juriç, do të vijojë të mungojë edhe Latifi. Si i keni parë këto situata së fundmi në skuadër?

Normalisht kur të mungon një lojtar si Latifi, është një humbje e madhe për ekipin. Megjithatë, besoj se nëse lojtarët e tjerë vënë shpirtin në fushë, do t’ia dalin.


Çfarë prisni nga kjo Vllazni, e shihni për titull?

Nëse do të japin maksimumin takim pas takimi, unë shpresoj të shkojnë në vendin e parë, aty ku i takon Vllaznisë. Për hir të së vërtetës shikoj një kampionat me shumë pak diferenca mes skuadrave. Prandaj besoj se Vllaznia e ka kontingjentin e duhur për të synuar titullin.