Ka qenë deri një vit më parë pjesë e ekipit të çiklizmit të Vllaznisë por pas disa problemeve që pati me drejtuesit e klubit Vllaznia në momentin e shkrirjes së këtij ekipi. Ardit Vorfa vendosi ta braktisë sportin e tij të dashur ngaqë po e shihte se askush nuk e kishte seriozisht. Megjithatë as një vit larg dhe nuk ka mundur të qëndrojë më tepër. Ardit Vorfa prej pak ditësh ka rifilluar sërish stërvitjen me ekipin e Vllaznisë.

Sëbashku me shokët e ekipit, Ergi Perajn, Serxhio Piranin, Luan Currin dhe disa djem të tjerë të rinj, si dhe me trajnerin Gëzim Mlloja, ai ka marrë përsipër të rikthejë sërish çiklizmin shkodran në nivele të larta. “Nuk mund të rrija më larg çiklizmit, pasionit tim të madh të jetës. U riktheva pranë këtij sporti dhe pranë Vllaznisë për të bërë më të mirën për të dhe natyrisht që me shokët e ekipit kemi objektiva shumë serioze vitin e ardhshëm. Duke filluar nga kupa kushtuar  ish-trajnerit tonë të dashur Fuat Muriqit, të cilën do synojmë t’ua kthejmë sërish shkodranëve e për të vazhduar me Rrethin e ardhshëm Çiklistik ku shpresojmë ta rendisim Vllazninë në tre ekipet më të mira të vendit”- ka thënë Vorfa ekskuzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com. Shkodra dhe Vllaznia kanë shkruar pjesën më të rëndësishme të historisë së këtij sporti në vendin tonë. Është qyteti ku u organizua gara e parë çiklistike në vitin 1920, është qyteti që organizoi Rrethin e parë Çiklistik që ka mbetur madje në histori si i pari në Europë për amatorët, që në vitin 1925. Në këto kushte, Vorfës, Perajt dhe shumë të tjerëve i del për detyrë ta ringjisin këtë sport sërish në majat më të larta. Por për ta duhet mbështetje, e cila deri tani ka munguar thuajse tërësisht.

 

Në foto: Dy çiklistët e Vllaznisë, Ergi Peraj dhe Ardit Vorfa