Argjentina është shpallur për herë të tretë Kampione Bote pasi ka mundur me penallti Francën në një ndeshje të pabesueshme.
Argjentinasit dominuan plotësisht ndeshjen deri në minuta e fundit, duke shënuar 2 herë me Mesin dhe Di Marian që në pjesën e parë përballë ”gjelave” të cilët nuk reagonin. Por gjithçka ndryshoi në minutën e 80, kur Mbape shkurtoi diferencën me penallti e vetëm një minutë më pas shënoi edhe golin e barazimit duke gjetur të përgjumur argjentinasit. Francezët më pas rrezikuan të shënonin edhe golin e tretë, por për të shpallur fituesin u deshën kohët shtesë.
Aty, ishte Mesi që shënoi për Argjentinën ndërsa u përgjigj me një tjetër penallti në anën tjetër Mbape. Të dy skuadrat kishin mundësi të gjenin golin para mbylljes së shtesave, por shpërdoruan raste të pastra, duke bërë që fituesi i Kupës së Botës të zgjidhej nga penalltitë.
Gabimet e Koman dhe Çuameni peshuan për francezët, ndërsa argjentinasit ishin perfektë në katër tentativat e tyre, duke siguruar kështu Kupën e Botës dhe vendosur në fanellë yllin e tretë që e kërkonin që në kohën e Maradonës.