Krutanët vazhdojnë që të jenë skuadra më në formë e Superiores, duke grumbulluar pikë të rëndësishme në betejën e mbijetesës, jo vetëm në fushën e vet por edhe në transfertë. Një nga lojtarët që ka spikatur në këtë pjesë të dytë të sezonit, te Kastrioti është edhe shkodrani Arlind Kalaja, që u huazua nga Kukësi.

Ja si e nis ai prononcimin për “Rtshsport”, ku fillimisht ka pohuar: “Mendoj se pavarësisht se si shkoi ndeshja, barazimi ishte rezultati më i drejtë. Luajtëm me një ekip shumë solid, me Flamurtarin që pavarësisht situatave ka traditë dhe emra cilësorë në përbërjen e vet. Morëm një pikë të merituar që na jep shpresë”.

Lidhur me përballjen e radhë ndaj Tiranës, Kalaja ka shtuar se: “Duhet se kush është Tirana dhe kualitete, për më tepër që javët e fundit ka treguar një formë të mirë. Por, ne luajmë kudo finale dhe na duhet që në fushë të japim më të mirën dhe për të dalë me pikët maksimale”, – tha ndër të tjera Kalaja.

Sa i përket mbijetesës, shkodrani ka shtuar: “Kur erdhëm në janar askush nuk e besonte, por duke filluar që nga trajneri dhe ne lojtarët besuam. I morëm ndeshjet një e nga një dhe ja ku jemi sot. Tashmë duhet që të mendojmë për ndeshjen e radhës ku edhe duhet që të marrim më të mirën”, – tha në fund të prononcimit, shkodrani Arlind Kalaja./Vipsport/