Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka humbur 2-1 me Spanjën në Barcelonë. Miqësorja e luksit ka parë tanët të ndëshkoheshin në fund, me Olmo që ka shënuar një gol të bukur. Uzuni barazoi golin e Torres, teksa të tre golat u shënuan në pjesën e dytë.

Ndeshja ka folur për vendasit, që qarkulluan topin për shumicën e kohës. Do duhej minuta e 75 që dueli të zhbllokohej me Ferran Torres, ndërsa pas 10 minutash Uzuni përfitoi nga një hutim i mbrojtjen së Spanjës.

Në të 90′ Olmo i dha fitoren të tijve, me kuqezinjtë që vijojnë të ndëshkohen në fund. Paraqitje e mirë e tanëve, që kishin edhe disa raste me Brojën dhe Laçin.

Pas ndeshjes foli Armando Broja.

“Humbja në fund? Më vejn keq, për mendimin tim them se në 80 minuta kemi luajtur mirë, kemi pasur raste. Është një gjë që s’e kemi bërë kurrë, të barazojmë me Spanjën edhe në disa minuta. Kam shumë kënaqësi që luaj, doja të fitoja për ekipin. Nuk kemi marrë barazim sot dhe më vjen keq. Të punojmë më shumë në stërvitje.

Peng ndonjë rast – Nuk më ka mbetur peng, nuk mund të ndryshonim. Cikalleshi kishte mundësi, Uzuni po, rastet ishin. Pasimi i fundit nuk ishte ai që duhej, fatin s’e kishim me vete. Jam i kënaqur që luajta, po stërvitem mirë. Trajneri e bën ekipin, kam shumë kënaqësi për vete dhe familjen. Më mërzit që nuk barazuam sepse me raste mund të fitonin ndeshjen. Duhet të mësojmë nga këto”, tha Broja.