Kombëtarja shqiptare e futbollit ka lënë shpejt pas festën për suksesin ndaj Bjellorusisë dhe ka filluar sot përgatitjet për ndeshjen ndaj Lituanisë që luhet të hënën në “Air Albania”.

Ndeshje në të cilën trajneri Edi Reja do të ketë më shuëm alternativa në dispozicion, një lajm i mirë duke llogaritur lodhjen fizike që ndjenë shumë lojtarë gjatë ndeshjes kundër bjellorusëve.

Në stërvitjen e djeshme, Kombëtares i është bashkuar edhe Hysen Memolla, i cili ka lënë pas dëmtimin që nuk i mundësoi që të udhëtonte drejt Bjellorusisë me pjesën tjetër të ekipit. Ai është gati për duelin e të hënës dhe do të jetë një alternativë më shumë për krahun e majtë të mbrojtjes, ku Trashi ishte alternativa e vetme deri tani.

Një alternativë më shumë për sulmin është edhe Armando Broja, i cili udhëtoi me skuadrën në Minsk, por qëndroi në tribunë pasi vuante një pezullim për shkak të kartonit të kuq që kishte marrë me Kombëtaren U19 në vitin e kaluar. Lojtari me origjine nga Malesia e Madhe do te jete kesisoj i gatshem per trajnerin Reja per ndeshjen e se henes me Lituanine.

Ndërkaq, Ylber Ramadani ka dhënë përfundimisht aforfe për këtë grumbullim të përfaqësueses pasi dëmtimi i tij ka rezultuar më i rëndë sesa mendohej. Futbollisti është larguar sot nga Shqipëria për t’u kthyer në Danimarkë, për të vazhduar pranë klubit të Vejle riaftësimin nga dëmtimi që e bëri të humbte këto dy sfida të kombëtares.

Ende asnjë informacion për Ardian Ismajlin, i cili gjithashtu viuan nga një dëmtim, por duket e vështirë që të rikuperohet për këtë duel.