Java e 15-të e Kategorisë së Dytë ka qenë e suksesshme për skuadrën e Veleçikut, pasi ka fituar në transfertë ndaj Murlanit, 1-2. Një trepikësh me shumë vlerë dhe për arritjen e kësaj fitoreje, një kontribut të madh ka luajtur një prej lojtarëve më të rëndësishëm, pikërisht mbrojtësi Arsen Banushaj, i cili shënoi edhe golin e dytë në këtë takim, një eurogol për nga mënyra e ekzekutimit.

Banushaj ishte një nga protagonistët e këtij suksesi por jo vetëm, teksa këtë sezon, mbrojtësi është një ndër lojtarët që po spikat me së shumti me Veleçikun. Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, Banushaj shprehet se ekipi koplikas është ndërtuar që të jetë në vendin e parë.

“Edhe ndaj Murlanit vijuam ecurinë e rezultateve pozitive dhe shpresoj mos të ndalemi deri në fund të kampionatit. Murlanin e kishim vlerësuar gjatë gjithë javës, pasi e dinim që do ishte një ndeshje e luftuar fort. Ekipi jonë është ndërtuar që të jetë në vendin e parë.

Normalisht që, “derbi” ndaj Murlanit, kishte ato emocionet e veta, por ne në çdo fushë kundër çdo ekipi, shkojmë vetëm për një rezultat, vetëm për fitore. Murlani ka një ekip të mirë, pasi një pjesë të futbollistëve aty i njoh dhe ua di cilësitë, pasi kam luajtur me disa prej tyre.

Ekipi jonë ka në përbërje lojtarë shumë të mire, por pika jonë më e fortë është grupi. Kemi vite që luajmë me njëri-tjetrin. Poashtu, edhe afrimet e reja janë ambjentuar mjaft mirë. Kjo ka bërë që të kemi rezultate të mira dhe të besojmë fort te objektivi jonë, që është ngjitja në Kategorinë e Parë.

Në fakt, unë jam pjesë e ekipit të Veleçikut që me moshat dhe më pas me ekipin e parë të Veleçikut, jam që në 2008, pra ky është sezoni i 14-të. Vitet e fundit në aspektin personal kanë qenë shumë të mira, ku dua të veçoj vitin e kaluar, pasi kam realizuar pesë gola shumë të bukur, një ndër to edhe golin e famshëm “gol dhe trekandsh”. Edhe ky vit ka qenë një vit i mirë deri tani. Shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund”,-thotë ai.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, Banushaj ka një të majtë të “hidhur” dhe u bë i famshëm në rrjet pak kohë më parë, pas një goli spektakolar kundër Vorës me një goditje dënimi. Gol që u pasua me komentin e veçantë të Bashkim Ramekajt, i cili me pasion përcolli sërish edhe ndeshjen e fundit ndaj Murlanit, teksa realizimi i çmendur që Banushaj bëri ndaj Murlanit nga 50 metra, ku arriti të shënojë, ka entuziasmuar sërish Ramekajn, duke na risjellë sërish edhe njëherë tjetër komentin epik “gol dhe trekandsh”.

“Videoja e golit tim me komentin e Bashkimit u bë shumë shpejt virale. Komentim “bio”.

Ndër të tjera, Banushaj flet edhe për tifozërinë e Veleçikut, teksa shpreson që ai dhe skuadra t’i bëjnë të lumtur ata, duke u ngjitur në Kategorinë e Parë.

“Veleçiku ka pasur gjithmonë mbështetjen e tifozërisë. Malësia e Madhe e do shumë futbollin dhe shpresoj që vitin tjetër të kemi një stadium dhe ekipin një kategori më lart.

Vlerësim maksimal ndaj çdo kundërshtari, si brenda fushës, poashtu edhe jashtë. Përballja e rradhës është ndaj Shënkollit dhe në ndeshjen e parë, Shënkolli na mundi. Shpresoj që t’ua kthejmë “reston” me të njëjtën mënyrë.

Mundësitë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, janë të shumta dhe rival kemi vetëm veten tonë”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Veleçikut, Arsen Banushaj.
Maringlen ZHIVANI