Një mungesë shumë e madhe do të jetë për Izraelin ndaj Shqipërisë ajo e Eran Zahavi. Ylli i Maccabi Tel Aviv i ka kërkuar trajnerit të Kombëtares së Izraelit, Alon Hazan, që të jetë vetëm në dhomën e hotelit, për arsye profesionale.

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Hazan që e ka lënë jashtë, duke mos ia plotësuar kërkesën. Ndërkohë, vetë Zahavi ka sqaruar gjithë situatën, teksa përmend faktin se gjithmonë jeton vetëm.

“Këtë javë kisha një bashkëbisedim me trajnerin e Kombëtares, Hazan. U bë një bisedë e gjatë dhe më tha se sa shumë dëshironte që të jem pjesë e Kombëtares, sa i rëndësishëm jam dhe sa janë aftësitë e mia ndihmuese për ekipin.

Sigurisht, i thashë që isha këtu për të dhe për Kombëtaren si gjithmonë. Në fund të bisedës, e përmenda çështjen e akomodimit të përbashkët në dhoma. Kur e ngrita këtë çështje, kuptova se ishin gati të më linin jashtë Kombëtares, vetëm që unë të mos rrija vetëm në dhomë.

Gjatë shtatë viteve të fundit, në ekipet ku kam luajtur dhe katër vitet e fundit në ekipin e Kombëtares, jam vetëm në dhomë dhe kjo për arsyen e thjeshtë se përpara çdo stërvitje dhe ndeshje, ngrihem shumë herët me përgatitjet e mëngjesit.

Lutja, proçedura e të ngrënit, organizimi dhe gjithashtu natën shkoj në shtrat herët. E gjithë kjo në mënyrë që të jem gati për ndeshjen e rradhës. Nëse është dikush tjetër në dhomë që sillet ndryshe, më shqetëson, ashtu si mënyra ime e të jetuarit e shqetëson dikë tjetër.

U përpoqa ta bindja trajnerin Hazan se sa e rëndësishme ishte kjo për mua, madje duke i thënë se do i paguaj të gjitha shpenzimet e hotelit nga xhepi im. Nuk pranuan të më dëgjonin”, tha sulmuesi i Kombëtares së Izraelit, Eran Zahavi.
Maringlen ZHIVANI