Një trajner në punë dhe një tjetër që po bën merkaton. Ndoshta duket disi e çuditshme, por kjo është situata te Vllaznia. Askush nuk kërkon t’i bëjë gjërat zyrtare, edhe pse gjithçka duket fakt i kryer për atë çka pritet të ndodhë së afërmi. Në një kohë që Shpëtim Duro po e stërvit skuadrën dhe duket se është i vendosur për ta respektuar kontratën me klubin shkodran, nga ana tjetër, Artan Bushati, kandidati më potencial për të marrë drejtimin e pankinës kuqeblu, ka nisur prej ditësh vëzhgimin për lojtarët që mund të afrohen te Vllaznia në janar.

Tekniku shkodran mësohet se ka bërë biseda konkrete me disa emra shqiptarë dhe të huaj.
Bisedimet – Dje, një udhëtim i Bushatit drejt Ulqinit mund të përkthehet edhe si një vizitë pune. Burime të besueshme pranë trajnerit tregojnë se shkaku i vizitës së tij ka qenë enkas për Vllazninë. Pritet që ekipi kuqeblu të akomodohet në Ulqin pas datës 20 janar, teksa do të kryejë fazën përgatitore. Nga ana tjetër, Bushati mësohet se ka pasur mundësinë për të biseduar edhe me lojtarë malazezë, të cilët ai i ka në planet e tij. Vetë trajneri nuk kërkon të prononcohet publikisht, pasi kërkon që të ruajë etikën, duke qenë se në punë është ende Duro. Edhe pse asnjëherë nuk e ka pranuar se po punon për të gjetur lojtarët që do të nevojiten për pjesën e dytë të sezonit, bisedat e tij, qoftë me emra shqiptarë dhe të huaj tashmë janë fakt i kryer. Të njëjtat burime bënë të ditur se nga tregu shqiptar në këto momente po shikohet pak, teksa në “lupën” e Bushatit janë vetëm 3-4, ku njëri prej tyre është pa dyshim Gilman Lika. Gjithashtu është përfolur se trajneri ka pasur një komunikim edhe me mbrojtësin Tefik Osmani, duke i konfirmuar këtij të fundit se do ta ketë në plane. Nga ana tjetër, mësohet se Bushati bashkë me drejtuesit e rinj që pritet të ketë klubi, kanë hedhur sytë edhe nga pista afrikane. Sigurisht që mundësia e afrimit të lojtarëve malazezë mbetet në “pole-position”, por përflitet se mund të vijnë edhe nigerianë.
Admir URUÇI