Kalimi I klubit Vllaznia në përdorim të biznesmenëve nuk ka më tashmë asnjë pengesë. Drejtuesit e Bashkisë Shkodër kanë përfunduar akt- marëveshjen e bashkëpunimit në mes institucionit që ata drejtojnë dhe që administron klubin Vllaznia, me biznesmenin Agron Çela që ka shprehur interesin e tij për të investuar tek ky klub. Akt- marrëveshja prej dy faqesh, në të cilat janë të parashikuara qartë detyrimet e palëve dhe mënyra si do funksionojë tani e tutje Vllaznia, mbrëmjen e së enjtes ka përfunduar në duart e biznesmenit të interesuar.

Ai sigurisht që ka patur nevojën e shqyrtimit të saj me juristët e vet dhe vetëm pasi të jetë dakord, atëherë gjërat do kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak. Mbledhja e këtij të fundit pritet të bëhet ditën e shtunë ose në rast se nuk arrihet që të bëhet këtë ditë për shkak të lajmërimit të këshilltarëve, do të bëhet ditën e hënë. E rëndësishme është që tashmë nuk ka më asnjë pengesë ligjore për këtë mënyrë të re menaxhimi të klubit Vllaznia. Biznesmeni Agron Çela do të jetë njeriu që do ta drejtojë atë, në bashkëpunim me Fatos Gjyrezin, administratorin aktual të klubit që do të vazhdojë të mbajë të njëjtin pozicion. Me t’u zyrtarizuar kjo gjë, atëherë drejtuesi I ri I klubit do të nisë menjëherë nga puna, duke përzgjedhur së pari trajnerin e ri. Kjo ngaqë trajneri aktual Shpëtim Duro gjithnjë e më tepër është në ikje teksa Partizani zyrtarisht e konsideron trajnerin e tij. Në vend të Duros pritet të vijë Artan Bushati dhe ky në fakt ka ditë që ka filluar të mendojë për skuadrën, për lojtarët që do afrohen dhe ata që do largohen. E rëndësishme është që Vllaznia brenda 2-3 ditësh do të nisë një cikël të ri, duke shpresuar se do të jetë një cikël shumë më I suksesshëm sesa ai I kohëve të fundit për të.
www.shkodrasport.com