Artan Durro, një nga emrat e njohur të sporti të handbollit në Shkodër e më gjerë, foli së fundmi për sportet e lojërave me dorë. Ai theksoi se ky nuk ka qenë një sezon edhe aq pozitiv për Vllazninë, ku po spikat vetëm ekipi i meshkujve në volejboll. Gjithashtu Durro përmendi edhe sportin e handbollit që tashmë nuk ka as kampionat në vendin tonë.

Durro tha: “Këtë sezon lojërat me dorë nuk kanë qenë në nivelin e duhur në Shkodër. Ekipi i basketbollit tek meshkujt pësoi sërish humbje në ndeshjen e fundit.

Madje u largua edhe trajneri dhe skuadra tashmë rrezikon edhe play-off. Tek volejbolli i femrave pavarësisht se është punuar shumë seriozisht sërish nuk ka pasur rezultate shumë pozitive.

Ekip i Vllaznisë nuk arriti të kapte fazën play-off. Të vetmit që po bëjnë performanca të mira janë ekipi i volejbollit të meshkujve, që uroj pse jo në fund të kampionatit të jenë edhe fitues. Sepse janë një brez kampion, me një trajner të jashtëzakonshëm si Artan Kalaja.

Handbolli? Ka disa vite që ky sport thuajse po shkon drejt zhdukjes. Tek Vllaznia janë munduar që të bëjnë ndonjë organizim miqësor, por thjesht kaq. Ndërsa kampionati kombëtar nuk zhvillohet pasi nuk ka më ekipe dhe thuajse 0 investime nga federata përkatëse për zhvillimin e kësaj disipline”.
Endri ÇINARI