Partizani vijon përgatitjet për ndeshjen e së enjtes ndaj Vllaznisë. Trajneri Dritan Mehmeti, bashkë me ekipin, kanë nisur tashmë të analizojnë lojën e kundërshtarit dhe të tentojnë të mos bëjnë më gabimet e ndeshjeve të shkuara.

Përveç videoanalizës, Mehmeti në stërvitje e ka vendosur skuadrën në situata të ndryshme mbrojtëse dhe sulmuese, që parashikohet se do të ndodhin edhe në sfidën ndaj shkodranëve në “Elbasan Arena”.

Ai është përqendruar në manovrat mbrojtëse, ku për çudi kanë çaluar në dy ndeshjet e fundit, kur kanë pësuar 3 gola.

Ndërkohë, edhe dje, ashtu si në ditët e shkuara, trajneri kërkoi automatizim të të gjitha lëvizjeve të skuadrës dhe lojë sa më të rrjedhshme.

Këtë aspekt ai është munduar ta injektojë te skuadra përmes lojërave të ndryshme, që gjithashtu krijojnë edhe një atmosferë të mirë dhe konkurruese në skuadër.

Humbja e madhe e ndeshjes të së enjtes është Arinaldo Rrapaj, i cili ka pësuar një tërheqje, teksa shqetësim i madh është edhe fakti se Tedi Cara dhe Albion Marku, të thirrur te Shpresat, do të bashkohen me ekipin vetëm një ditë para ndeshjes.