Dorëheqja nga drejtimi i Vllaznisë sikur e largoi nga vëmendja për disa kohë megjithatë Artan Kalaja “rikthehet” sërish të thotë fjalën e tij. Këtë herë si zëvendëstrajner i kombëtares U-20 që së fundi u shpall nënkampione Ballkani. Një sukses i merituar, çka tregon se volejbolli shqiptar po i ngjit një e nga një shkallët e tij.

Trajneri shkodran duke folur në lidhje me këtë sukses, ka dashur të falenderojë të gjithë pjestarët e ekipit teksa ka thënë: “Nuk mund të rri pa falenderuar, në rradhë të parë djemtë e ekipit, që me aq shpirt dhe dëshirë e kërkuan dhe e arritën atë rezultat fantastik. Së dyti, dua të falenderoj Federatën tonë, e theksoj TONË pasi kjo është Federata me të vertetë e jona, e volejbollit, që na besuan të drejtojmë këtë ekip dhe na krijuan kushte shumë të mira për tu akomoduar dhe stërvitur. Falenderoj kolegun, mikun tim, trajnerin e aftë dhe të përkushtuar Ben Sako, që sëbashku punuam në harmoni të plotë. Dhe në fund, falenderoj fizioterapistin dhe bashkepunëtorin tim të gjithmonshëm, Ben Mlloja, që me profesionalizëm dhe pasion u qëndroi gati gjithë ekipit për të qënë të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin për fitore”.
© shkodrasport.com