Vllaznia për femra arriti të dalë fituese në një ndeshje historike përballë ukrainasve të Vorskla Kharkiv në kuadër të Play-Off të Champions League. Vazjat shkodrane dhanë maksimumin në këtë ndeshje që prodhoi plot emocione dhe lot gëzimi. Rezultati 2-1 dërgon Vllazninë në grupet e Champions League duke u bërë klubi i parë në historin e futbollit shqiptar që arrin kaq larg.

Kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave, Anila Basha përshëndet arritjen historike të vajzave dhe uron në një përfaqësim dinjitoz në Champions League.

“Kjo lojë po bëhet shumë e fortë. Atë që s’e bënë dot djemtë, vajzat e arritën më së miri. Tani, vajzat e Vllaznisë në Europë, janë një realitet që do ta shijojmë të gjithë. Më së pari vetë futbollistet tona të talentuara, qyteti i Shkodrës që ato përfaqësojnë me zemër, dhe gjithë Shqipëria.

Vajzat e Vllaznisë mundën sot në “Loro Boriçi” ukrainaset e Vorskla Kharkiv me rezultatin 2 me 1 dhe ky rezultat i çon për herë të parë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Në emrin tim personal, si kryetare e komisionit të Futbollit të Vajzave në Shqipëri, shpreh mirënjohjen për punën e palodhur të vetë vajzave futbolliste dhe stafit që i trajnon me përkushtim ditë pas dite.

Shpresoj dhe besoj për një përfaqësim sa më dinjitoz në kompeticionin evropian, për të ngritur lart, emrin e Vllaznisë, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Ndihma e pakursyer e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk do të mungojë.”- u shpreh Anila Basha.