Akademia Atletik Klub, me dy ekipet e saj U-15 dhe U-14, ka arritur një barazim dhe një humbje në ndeshjet e kësaj jave ndaj ekipeve të Turbinës dhe Akademisë së Futbollit Elbasani.

15-vjeçarët kanë qenë ata që kanë barazuar, ndërsa 14-vjeçarët shkodranë janë mundur me rezultatin e ngushtë, 2-1. Takimet e luajtura në Cërrik dhe në Elbasan janë zhvilluar me një rivalitet të madh, sepse vetë përbërjet e këtyre ekipeve dhe pozicionet e tyre në renditje, e mundësonin këtë gjë.

Në ndeshjen e 15-vjeçarëve të Atletik Klub ndaj Turbinës, i gjithë takimi do të mbyllej në barazim 0-0, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve për të shënuar qoftë edhe një gol. Me këtë pikë të marrë, skuadra e drejtuar nga trajneri Saimir Kaloshi është ngjitur në kuotën e
10-pikëve, duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje dhe duke qenë brenda objektivave të saj.

Ndërkohë, në ndeshjen e 14-vjeçarëve ndaj Akademisë së Futbollit Elbasani, Atletik Klub e ka nisur mirë ndeshjen dhe ka arritur të shënojë edhe një gol në pjesën e parë me anë të Nuhës. Megjithatë, në të dytën, Elbasani është munduar të reagojë, teksa ka krijuar disa raste të pastra shënimi dhe ia ka dalë të shënojë në këtë mënyrë edhe dy golat e fitores. Përfundimisht 2-1 për Akademinë e Futbollit Elbasani.

Ndërkohë, pas kësaj humbjeje, Atletik Klub ka zbritur në vendin e 12-të në renditje, në kuotën e katër pikëve në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani. Javët e ardhshme, do t’i shërbejnë kësaj skuadre për të korrigjuar disa gjëra, ku do të synojë të përmbushë me patjetër objektivat e saj. /Maringlen ZHIVANI/


U-15: Turbina-Atletik Klub 0-0

Gola: S’ka

Formacioni i Atletik Klub U-15: Lumçi, Abazi, Livalli, Plori, Bushati, Luka, Hasanaj, Vuksani, Papaj, Kallajxhiu, Ademi (u aktivizua: Dajani) Tr: Saimir Kaloshi


U-14: Akademia e Futbollit Elbasani-Atletik Klub 2-1

Goli për Atletik Klub U-14: Nuha

Formacioni i Atletik Klub U-14: Marlaska, Gjergji, Nuha, Ramollaj, Ymeraj, Kastrati, Hebovija, Bajri, Krasniqi, Syla, Qytetaj (u aktivizua: Guri) Tr: Eder Zmijani